Lajme

UNMIK-u dhe OSBE-ja kërkojnë nga Kosova dhe Serbia zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur


Ilustrim

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar në mirëbesim, deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj të këtij viti në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukur me dhunë duke bërë thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen si prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

Ziadeh ka kujtuar gjithashtu vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive, Fabian Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, ka thënë Ziadeh.

Zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur nga Kosova dhe Serbia ka kërkuar edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Forcë, 30 gusht, ne vajtojmë 1 mijë e 617 të zhdukur nga konflikti në Kosovë. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet dhe miqtë e të gjithë personave të zhdukur”, ka shkruar OSBE në platformën sociale, X.

“U bëjmë thirrje palëve që të zbatojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur të nënshkruar më 2 maj të këtij viti në Bruksel, me qëllim që t’i mbyllin vuajtjet dhe të nxisin pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore