Shqipëria

Universiteti i Tiranës prezanton Msc. në Drejtësi Tranzitore, Kushi” Rrisim kapacitetet e institucioneve me ekspertë të ndryshëm


Universiteti i Tiranës, mëngjesin e 2 dhjetorit ka prezantuar programin e ri të Masterit Shkencor në Drejtësi Tranzitore, i cili vjen si një bashkëpunim i tre fakulteteve FSHS, FDUT dhe FHF.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ishte e pranishme së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, rektori i universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha, dekanët e fakulteteve që janë pjesë e këtij bashkëpunimi.

“Ky program vjen në momentin e duhur, sepse duke pasur parasysh tranzicionin e gjatë të Shqipërisë dhe nevojën e madhe për të ngritur institucione të reja, është e nevojshme prania dhe bashkëpunimi i ekspertëve nga fusha të ndryshme”, theksoi Kushi në fjalën e saj.

Më tej ajo theksoi se shkëmbimi i ekspertëve mes dy institucioneve – UT-OSBE – është një, “qasje e re, që përveç mësimdhënies, do të jetë puna kërkimore e studentëve, punë krahasimore që do të ndihmonte në zbulimin e praktikave më të mira edhe nga shtete të tjera”.

Ky program studimi ka si mision të përgatisë specialistë të lartë dhe studiues në fushën e drejtësisë tranzitore, projekteve kërkimore mbi dukuri dhe problematika sociale, rekomandimeve për politikave publike dhe vlerësime të impaktit të reformave sociale dhe juridike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore