Lajme

UNDP: Kosovarët s’bsojnë se ndryshimet politike bëhen me votë


Ilustrim

Në anketën e opinionit të “Pulsit Publik”, të realizuar nga UNDP, në nëntorin të vitit 2022, ka ndryshime me atë të gjashtë muajve më parë, atë të prillit 2022, sa i përket çështjes së besimit në efektin e votës e cila si reaksion do të krijonte ndryshime politike.

“Anketa e opinionit e Pulsit Publik e nëntorit 2022 i hulumtoi edhe qëndrimet e qytetarëve të Kosovës ndaj votimit. Qëndrimet ndaj votimit kanë ndryshuar krahasuar me anketën e opinionit të prillit 2022, duke treguar një ulje të besimit në efektin e votës së popullit për të shkaktuar ndryshime politike”, thuhet në raportin e UNDP-së.

Ndërkaq, edhe numri i anketuesve të cilët besojnë se vota tyre nuk mund të ndikojë në ndryshime ishte më i lartë në raport me ata që mendojnë që mund të jenë faktorë ndryshues.

“Në pyetjen nëse vota e tyre mund ta ndryshojë situatën politike në Kosovë, 31.2% e të anketuarve deklaruan se besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime, krahasuar me 38.1% në prill 2022, 29.4% në vjeshtën 2021 dhe 43.8% në maj 2021″.

“Nga ana tjetër, 32.4% konsiderojnë se vota e tyre nuk mund ta ndryshojë situatën në Kosovë, krahasuar me 26.6% në prill 2022, 36.1% në vjeshtën e vitit 2021 dhe 25.1% në maj të vitit 2021”.

“Në nëntor 2022, 31.4% e konsideronin se vota e tyre mund t’a ndryshojë situatën në një farë mase, krahasuar me 32.9% në prill 2022”, tregon raporti.

Mirëpo, sa i përket perceptimeve në baza gjinore, ka një linjë mendimi pothuajse të njëjtë sa i përket femrave dhe meshkujve në kontekstin e fuqisë së votës së tyre.

“Ndërkohë që 32% (40.1% në prill 2022) e meshkujve konsiderojnë se vota e tyre mund ta ndryshojë situatën në Kosovë, 30.5% (35.9% në prill 2022) e femrave mendojnë të njëjtën gjë. Gjithsej 33.3% e meshkujve dhe 31.4% e femrave besojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshime, ndërsa 31.7% e meshkujve dhe 30.9% e femrave mendojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime deri diku”.

Por, të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet komuniteteve në Kosovë për besimin e tyre tek zgjedhjet si mekanizëm që mund të çoj në ndryshim. Në përgjithësi në këtë raport vërehet një rënie besimi tek vota e tyre si mekanizëm ndryshimi si tek shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe tek serbët e Kosovës dhe njëjtë edhe për komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë.

“Vetëm 1% e serbëve të Kosovës (6.7% në prill 2020) konsiderojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime në Kosovë, përkundrejt 12% të pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës (15% në prill 2022) dhe 33.3% të shqiptarëve të Kosovës (40.5% në prill 2022). Ndërkohë që gjithsej 46% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës nuk besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime (52% në prill 2022), të njëjtën gjë mendonin edhe 44.8% e serbëve të Kosovës (24.8% në prill 2022) dhe 30.9% e shqiptarëve të Kosovës (25.6% në prill 2022)”, thuhet në raport.

Gjithashtu, edhe tek vullneti i qytetarëve për të dalë në votim nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti ka një rënie të dukshëm në krahasimet që janë bërë në këtë raport: prill-nëntor.

“Gjetjet tregojnë një rënie të gjasave për të votuar në mesin e të anketuarve në krahasim me prillin 2022. Gjithsej 69% e të anketuarve (76.7% në prill 2022) do të votonin për një parti të caktuar politike, ose një koalicion, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti. Në vlera pothuajse identike me rezultatet e anketës së prillit 2022, 11.9% e të anketuarve nuk do të votonin (11.1% në prill 2022), 10.5% nuk kanë ndonjë preferencë politike (6.8% në prill 2022) dhe 7.6% refuzuan të përgjigjen”.

Rënie ka edhe tek zbërthimet në baza gjinore, ku edhe pse meshkujt si në prill ashtu edhe në nëntor ishin shprehur më të gatshëm se femrat për të marrë pjesë në zgjedhje në qoftë se ato do të mbaheshin së shpejti. Ka një rënie prej 10 pikë.

“Më konkretisht, 70.6% e meshkujve dhe 67.6% e femrave do të kishin votuar nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin në të ardhmen e afërt. Në prill 2022, këto shifra ishin 81.1% për meshkujt dhe 76.8% për femrat, ndërsa në maj 2021 ishin 83.7% për meshkujt dhe 82% për femrat. Këto shifra janë të dyja më të ulëta se në dhjetor 2020, kur 93.4% e meshkujve dhe 92.2% e femrave deklaruan se do të votonin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore