Lajme

UNDP: Bie kënaqshmëria e kosovarëve për punën e kryeministrit, kryetarit të kuvendit e presidentes


Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar këtë të premte edicionin e 23-të të përmbledhjes “Pulsi Publik”.

Në këtë përmbledhje janë pasqyruar gjetjet për dhjetë treguesit kyç në lidhje me çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.

Gjetjet, thuhet se janë bazuar në anketat gjashtëmujore të opinionit në Kosovë të cilat janë kryer dy herë brenda vitit, me të anketuar mbi moshën 18 vjeçare.

Anketa e parë është realizuar nga 21 tetori deri më 3 nëntor të vitit të kaluar, në të gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa e dyta në prill të vitit 2022.

Sipas kësaj përmbledhje të UNDP-së, e cila është realizuar nga anketimi i një mijë e 306 personave në mbarë territorin e Kosovës, ka rënie të pëlqyeshmërisë së punës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Niveli i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit kapi vlerën prej 44.9%, një rënie për 7.7 pikë përqindje nga prilli 2022 kur ishte 52.6%”.

Në raportin e UNDP-së thuhet se rënie ka edhe për pëlqyeshmërinë e punës së kabinetit qeveritar.

“Në këtë anketë niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41%, një rënie për 6.2 pikë përqindje nga anketa e prillit 2022 kur ishte 47.2%”, thuhet në raportin e UNDP-së.

Rënie të përqindjes së kënaqshmërisë së qytetarëve është vërejtur edhe me punën e Kuvendit të Kosovës.

“Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kundrejt 50.2% në prill 2022, ndërsa kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%, krahasuar me 54.4% në prill 2022”.

Në anketën e realizuar në tetor-nëntor të vitit të kaluar, qytetarët janë shprehur më pak të kënaqur edhe me punën e presidentes, Vjosa Osmani, krahas anketës së realizuar në muajin prill të vitit të kaluar.

“Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën prej 56.8% krahasuar me 58.4% në prill 2022”.

Të pa kënaqur, qytetarët janë shprehur edhe për punën e gjyqësorit në Kosovë.

Sipas raportit të UNDP-së, pëlqyeshmëria e qytetarëve ndaj gjykatave ka rënë për 14.7%.

“Ulje është vërejtur edhe në nivelin e kënaqshmërisë me performancën e gjykatave (24.4%) krahasuar me 39.1 në prill 2022, 33.9% në vjeshtën e 2021 dhe 34.6% në maj 2021”, thuhet në raport

“Ulje e ngjashme e kënaqshmërisë është shënuar edhe me Zyrën e Kryeprokurorit. Gjithsej 22% e të anketuarve kishin pikëpamje pozitive për punën e Kryeprokurorit, krahasuar me 37.1% në prill 2022, 34% në vjeshtën e 2021 dhe 30.8% në maj 2021”.

Gjetjet e paraqitura në këtë përmbledhje bazohen në anketën e opinionit me 1,306 të anketuar në Kosovë mbi moshën 18 vjeçare, të realizuar nga 21 tetori deri më 3 nëntor 2022. Mostra përfshiu numër të njëjtë të meshkujve dhe femrave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke i mbuluar si zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Në aspektin e përfaqësimit etnik, mostra ka përfshirë 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 pjesëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës (ashkali të Kosovës, boshnjakë të Kosovës, egjiptas të Kosovës, goranë të Kosovës, romë të Kosovës, dhe turq të Kosovës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore