Shqipëria

Ulqinaku për Albanian Post: Varianti britanik mund të rrisë vdekshmërinë në Shqipëri


“Teorikisht, mund të kemi vdekshmëri më të lartë nga varianti britanik i Covid-19 ose variantet e tjera. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë”.

Kështu mendon epidemiologu Dritan Ulqinaku, i pyetur nga Albanian Post mbi ardhjen e mutacionit të virusit në Shqipëri.

Zëvendës drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, deklaroi se “ka shumë gjasë që variantet e reja të kenë ardhur në Shqipëri. “Ne nuk jemi një vend i mbyllur me rregulla strikte përsa i përket lëvizjes së bashkëqytetarëve tanë në botë”.

“Qytetarët e huaj mund të kalojnë kufirin lehtësisht”, shtoi Ulqinaku. “Pra, variantet e reja, mund të kenë ardhur në vendin tonë për shkak të këtyre lëvizjeve”.

Disa mostra të dyshuara si variant i ri i Covid, janë dërguar në laborator tashmë. Për përgjigjet ndërkohë, duhet pritur akoma.

Përtej kujdesit të madh që duhet treguar, epidemiologu gjykon se “nuk ka vend për t’u alarmuar”. “Pavarësisht kësaj, duhet parë trendi i shifrave. Varianti i ri mbetet i ngjashëm me të vjetrin në simptoma dhe efekte”.

Përsa i përket testimeve, Ulqinaku theksoi se ato do të vazhdojnë të rriten, duke parë kurbën në ngritje dhe shtrëngimin e masave kufizuese prej 11 shkurtit.

“Po përpiqemi që, edhe nëse ulet kurba e infektimit, të vazhdojmë të rrisim numrin e testeve të shpejta dhe atyre jo të shpejta”, shtoi epidemiologu.

Përsa i përket ekipeve që janë në terren, Ulqinaku konfirmoi se vetëm në Tiranë, janë 10 të tilla. Më pas, në gjithë rrethet e vendit ka njësi të tilla, të ndara sipas drejtorive të kujdesit parësor.

Situata epidemiologjike në Shqipëri

Shqipëria ka parë një situatë epidemiologjike në përkeqësim me fillimin e vitit 2021. Kurba e infektimit ka ardhur në rritje, duke kulmuar me 1 mijë 2 93 raste ditore në 9 shkurt. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar që prej fillimit të pandemisë.

Numri i vdekjeve ka qenë gjithashtu i lartë gjatë janarit. Mesatarisht vdesin 14 persona në ditë gjatë muajit shkurt. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se 78% e shtretërve në spitale, janë të zëna.

Me ardhjen e vaksinave të blera nga Pfizer, u ngjall një shpresë se situata mund të përmirësohej. Por, kjo gjë nuk ndodhi.

Situata u komplikua kur, kryeministri Edi Rama, bëri me dije se ka dyshime mbi ardhjen e variantit britanik në Shqipëri. Për shkak të këtyre dyshimeve, u shtrënguan masat kundër Covid-19 në 11 shkurt 2021.

Shqipëria kaloi sërish në një orë policore 20.00-06.00. Kjo masë u shoqërua edhe me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Mbetet për t’u konfirmuar dyshimi për mutacionin e Covid-it në Shqipëri dhe mënyrën si ky i fundit do të ndikojë në luhatjen e kurbës apo vdekshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore