Lajme

Ukraina ka ndryshuar qëllimet e saj në luftë, thotë Kuleba


Ukraina ka ndryshuar objektivat e saj ushtarake në luftën me Rusinë, teksa po synon të largojë trupat ruse nga i gjithë vendi.

Kjo është deklarata e ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në një intervistë për londinezen “Financial Times”.

Ai shtoi se “pamja e fitores është një koncept në zhvillim”.

“Në muajt e parë të luftës, fitore për ne ishte tërheqja e trupave ruse në pozicionet që ata pushtuan deri më 24 shkurt, si ndëshkim për dëmin e bërë”, theksoi fillimisht kryediplomati ukrainas.

Sipas tij, nëse trupat ukrainase fitojnë betejën për Donbas-in, atëherë pa dyshim që fitorja për ta në këtë luftë “do të jetë çlirimi i territoreve të mbetura”.

Kuleba vuri në dukje se vetëm humbja e Rusisë do t’i lejonte Ukrainës të rihapte portet e saj në Detin e Zi dhe të rivendoste ekonominë e saj të eksportit.

Në të njëjtën kohë, ai nuk përjashton që Ukraina do të duhet të negociojë për të zgjidhur situatën në mënyrë që të shmangë gjakderdhjen e tepërt.

Sidoqoftë, në këtë rast, Kiev-i do të donte t’i kishte “kartat më të forta”.

Sipas inteligjencës britanike, aktualisht beteja për Donbas-in mbetet drejtimi kryesor i Federatës Ruse.

Kjo, për të arritur qëllimin e deklaruar të kontrollit mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore