Lajme

Ukraina do të prodhojë armë të rënda me vendet e NATO-s


Koncerni shtetëror ukrainas “Ukroboronprom” do të prodhojë dhe zhvillojë së bashku armë të rënda dhe pajisje ushtarake me të paktën gjashtë vende anëtare të NATO-s.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë ukrainase.

“Ukraina po integrohet në kompleksin mbrojtës-industrial të NATO-s. Ukroboronprom do të prodhojë dhe zhvillojë së bashku armë të rënda dhe pajisje ushtarake me të paktën 6 vende anëtare të Aleancës”, thuhet në mesazh.

Në veçanti, bëhet fjalë për vende si Polonia, Republika Çeke, Franca, Danimarka dhe disa të tjera, me të cilat janë lidhur marrëveshje që nuk parashikojnë zbulimin e asnjë të dhënë.

“Po, ne po krijojmë ndërmarrje të përbashkëta të mbrojtjes, po ndërtojmë linja të prodhimit të municioneve me cikël të mbyllur, po prodhojmë së bashku automjete të blinduara dhe sisteme raketash me shumë lëshime dhe bashkërisht po zhvillojmë armë të reja të teknologjisë së lartë. Për këtë përdorim si kapacitetet ekzistuese ashtu edhe ato të krijuara rishtazi në vende të sigurta”, thotë “Ukroboronprom”.

Sipas njoftimit, për të përshpejtuar zhvillimin e projekteve ekzistuese ndërkombëtare të mbrojtjes dhe shfaqjen e të rejave, Ukroboronprom dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë rënë dakord për koordinimin e mëtejshëm të veprimeve.

“Kjo duhet të ndihmojë në tërheqjen e më shumë partnerëve të huaj për të forcuar kompleksin mbrojtës-industrial të Ukrainës”, shtoi Ukroboronprom.

Një nga marrëveshjet e fundit të lidhura ishte një marrëveshje me Republikën Çeke.

Koncerni shtetëror “Ukroboronprom” dhe Agjencia Ndërqeveritare e Bashkëpunimit Mbrojtës nën Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës Çeke kanë rënë dakord për krijimin e një grupi të përbashkët të mbrojtjes.

Kjo ndodhi në përputhje me marrëveshjet e arritura mes presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyi dhe kryeministrit çek Petr Fiala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore