Sport

UEL: United eliminon Barcelona-n, kualifikohen edhe Roma me Union Berlin


UEFA Europa League (UEL) ka mësuar emrat e tre skuadrave të radhës të kualifikuara për raundin e të 16-ve përmes fazës së play-off. Kështu, Manchester United (2-1 vs Barcelona), Roma (2-0 vs Salzburg) dhe Union Berlin (3-1 vs Ajax) kanë arriur të sigurojnë një blietë për raundin tjetër.

Sfida mes Rennes dhe Shaktar Donetsk shkoi në kohë shtesë pas fitores 1-0 të francezëve. Në ndeshjen e parë ukrainasit kishin fituar me rezultatin 2-1.

Në takimin e zhvilluar në “Old Trafford”, Barcelona kaloi e para në avantazh me golin e Robert Lewandowski-t në minuten e 18. Polaku realizoi me 11 metërsh dhe i dha avantazhin katalanasve për pjesën e parë.

Në pjesën e dytë “Djajt e Kuq” arritën të përmbysnin sfidën me golat e Fred (47’) dhe Antony (73’).

Kujtojmë që takimi i parë mes dy skuadrave, i zhvilluar në “Camp Nou” kishte përfunduar në shifrat 2-2.

Në “Olimpico”, Roma e Jose Mourinho-s përmbysi humbjen 1-0 të ndeshjes së parë në Austri. Golat për verdhekuqtë erdhën nga Andrea Belotti dhe Paulo Dybala.

Në “An der alten Forsterei”, Union triumfoi përballë holandezëve të Ajax me golat e Robin Knoche, Josip Juranovic dhe Danilho Doekhi. Për miqtë shënoi Mohammed Kudus.

Sfida e një javë më parë mes skuadrës gjermane dhe asaj holandeze kishte përfunduar me rrejta të paprekura.

Më herët nga raundi i play-off për në të 16-ta u kualifikuan Juventus, Bayer Leverkusen, Sporting CP dhe Sevilla.

Në raundin e të 16-ve, skuadrat e kualifikuara këtë të enjte do të gjejnë ato që janë kualifikuar pas mbarimit të fazës së grupeve në Europa League (tetë skuadrat kryesuese të grupeve). Këtu përfshihen emra si: Arsenal, Betis, Fenerbahce, Ferencvaros, Feyenoord, Freiburg, Real Sociedad dhe Union Saint-Gilloise.

Shorti i raundit të 16-ve

Shorti që do të përcaktojë tetë çiftet e raundit të 16-ve në Europa League do të hidhet të premten e 24 shkurtit, duke filluar nga ora 12:00.

Në këtë raund, pra të 16-të, nuk mund të përballen skuadra nga i njëjti vend. E thënë ndryshe, Arsenal nuk mund të shortohet me Manchester United, gjithmon nëse këta të fundit kalojnë përballë Barcelona-s.

Gjithashtu, një rregull tjetër është se fituesit e grupeve të UEFA Europa League ndeshjen e dytë e luajnë në shtëpi.

Raundi i të 16-ve do të zhvillohet më 9 mars, ndeshjet e para, dhe më 16 mars, ato të kthimit.

Më pas, kur ky raund të përfundojë do të ketë një tjetër short për të përcaktuar çiftet çerek dhe gjysmëfinaliste. Ai do të mbahet më 17 mars. Një ditë pasi të jenë përcaktuar tetë skuadrat e fundit në garë.

Ndeshjet çerekfinale do të luhen më 13 dhe 20 prill. Gjysmëfinalet do të luhen më 11 dhe 18 maj. Ndërsa, finalja e madhe do të zhvillohet më 31 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore