Sport

UEFA bën reportazh me Sylvinhon dhe Elseid Hysajn


Sylvinho dhe Elseid Hysaj

“Një ditë pune me Sylvinho”, në kanalin e saj zyrtar UEFA i ka dedikuar një reportazh të veçantë Kombëtares Shqiptare dhe trajnerit Sylvio Mendes Campos Junior. Momenti dhe edicioni kualifikues shumë i mirë i Kombëtares kuqezi, por edhe puna fantastike e teknikut brazilian nuk ka kaluar pa u vënë re.

Reportazhi në faqen zyrtare të UEFA-s nis me një përshkrim të karrierës së Sylvinho-s si lojtar dhe trajner që ka kontribuar në disa vende të Europës dhe në Brazil, vendlindjen e tij.

Trajneri Sylvinho tregon në kanalin zyrtarë të UEFA-s ndjesitë  si timonier i Shqipërisë dhe shton se të përfaqësosh një komb është shumë speciale për lojtarët dhe trajnerin.

“Lojtarët duhet ta shijojnë dhe të jenë krenarë që përfaqësojnë vendin e tyre, kjo është mënyra e të punuarit. Megjithatë kur përfaqëson vendin, gjërat ndryshojnë dhe nuk është e njëjta mënyrë tradicionale e të punuarit”, thotë Sylvinho.

“Ti e di që ke shumë përgjegjësi për të luajtur dhe gjithçka duhet të bëhet me zemër, sepse përfaqëson kombin. Kjo është diçka speciale për lojtarët dhe për trajnerin”, shtoi ai.

Reportazhi i Uefa-s vijon me organizimin e punës nga trajneri Sylvinho dhe stafi i tij, ndërtimi i programit stërvitor, diskutime me lojtarët ku gjithmonë mbizotëron atmosfera pozitive.

Në vijim UEFA vlerëson Shqipërinë dhe e cilëson rrugëtimin e saj në këtë edicion kualifikues shumë të mirë. Ndeshja e radhës me Moldavinë shihet si një finale, pasi Shqipëria mund të sigurojë për herë të dytë në histori finalet e një turne madhor, Evropianin “Gjermani 2024”.

Në karrierën e tij si lojtar, Sylvinho ka luajtur nën drejtimin e Pep Guardiola dhe Arsen Wenger, dy nga trajnerët më të mirë të historisë. Në reportazhin e UEFA-s braziliani i cilëson ata si të jashtëzakonshëm.

“Guardiola dhe Wenger janë të jashtëzakonshëm. Nuk pretendoj të bëhem si ata. Bëj punën time si e mendoj unë. Futbolli ka ndryshuar shumë, por unë besoj tek organizimi i një ekipi”, thekson Sylvinho.

Sylvinho

Pjesë e reportazhit të UEFA-s është edhe Elseid Hysaj. Fillimisht mbrojtësi kuqezi jep mendimin e tij për trajnerin, duke e cilësuar si një nga trajnerët e tij të preferuar.

“E ndjek shumë, pasi është një trajner që na ka dhënë shumë dhe po na ndihmon gjithmonë. Është shumë energjik dhe na jep shumë pozitivitet si grup”, tha lojtari i Lazio-s.

“Kishim shumë nevojë për këtë, pasi kemi pasur disa kohë kur nuk kishim shumë atmosferë pozitive si skuadër dhe kishim nevojë për një trajner si Sylvinho për të kaluar momentin e vështirë. Tani është padyshim një nga trajnerët e mi të preferuar”, shprehet Hysaj.

Gjatë një bashkëbisedimi me trajnerin Sylvinho, Hysaj pyet trajnerin për evolucionin e rolit të mbrojtësit të krahut, por edhe për ndryshimin mes tyre.

“Ka ndryshuar disi, pasi dikur nuk ishte aq taktik. Sot ka shumë taktikë në mënyrën e interpretimit të këtij roli. Lëviz, futu brenda, largoje topin jashtë zonës, mos e lër të afrohet këtu, e të tjera këshilla taktike”, shprehet trajneri.

“Sigurisht taktika është e rëndësishme, por atëherë ishte më shumë një lojë kombinimesh. Ti je shumë më agresiv dhe shumë më i fortë fizikisht. Në duelet një kundër një je shumë më mirë, pasi unë nuk i preferoja shumë”, vijon Sylvinho.

Reportazhi i UEFA-s dedikuar ecurisë fantastike të Shqipërisë dhe trajnerit të saj Sylvinho mbyllet me fjalën e këtij të fundit, i cili thotë se në Kombëtare çdo gjë  bëhet me zemër pasi prezantojnë vendin në arenën Evropiane dhe atë Botërore. Në fund mesazhi i Sylvinho-s është i qartë: “Gjithmonë besoni te lojtarët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore