Sport

U pezullua për doping, reagon Evangjeli Veli  


Pas pezullimit nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes nga çdo aktivitet deri në pritje të testit B për Evangjeli Velin dhe prononcimit të Elez Gjozës, ka ardhur edhe reagimi i peshëngritëses.

Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, Veli ka dhënë versionin e saj për këtë situatë, ndërsa ka shpërthyer ndaj kreut të FSHP-së, duke lëshuar akuza të forta në drejtim të tij.

Evangjeli fillimisht mohon të ketë përdorur substanca të ndaluara, ndërsa shprehet se po abuzohet shumë me gjithë këtë situatë.

Ajo akuzon Elez Gjozën për nxjerrjen e një vendimi konfidencial dhe jopërfundimtar.

“Për sa i përket kësaj situate, po flitet shumë, por askush nuk po i thotë siç janë realisht gjërat. Evangjelia nuk ka marrë asnjë ampulë, që sipas presidentit Gjoza qenka shkaku që unë kam rezultuar pozitiv”, ka thënë fillimisht peshëngritësja shqiptare.

“Nëse presidenti i federatës donte të zbatonte ligjin sikurse duhet, të bëjë si president dhe jo të thotë gënjeshtra, dokumentacionet të cilat kanë vajtur në federatë e thonë qartë se bëhet fjalë për një informacion konfidencial dhe nuk duhej bërë publik deri në momentin sa të dalë vendimi përfundimtar, për shkak se nuk bëhet fjalë për një vendim final”, shoti Veli.

“Këtë e ka bërë të qartë vetë federata botërore, që nuk duhet të shpallej asgjë deri sa të dilte vendimi i plotë dhe i detajuar me të gjitha shpjegimet, për shkak se unë e kam dërguar në gjyq”.

“Por ky njeri edhe një herë vazhdon të tregojë se nuk e do sportin, se nuk i do femrat dhe se sa racist i madh është”.

“Një njeri që gjithmonë është munduar të më luftojë, të më nxjerrë pengesa dhe të më mbyllë rrugët”, deklaron 30-vjeçarja Veli.

Evangjeli Veli një ditë më parë kishte rezultuar pozitiv me doping nga Testi A sipas Qendrës Ndërkombëtare të Testimeve.

Sportistja shqiptare me tre medaljet e fituara dy ari dhe një argjendi do të përfitonte 72 milion lekë të vjetra nga shteti shqiptar, të cilat për momentin janë ngrirë.

Në rast se edhe Testi B rezulton i njëjtë, jo vetëm që nuk do t’i marrë por edhe do t’i duhet të dorëzojë tre medaljet e marra, duke rrezikuar edhe mbylljen e karrierës pasi pezullimi për të është tetë vite dhe aktualisht Evangjeli Veli është në moshë 30-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore