Lajme

U dekorua nga Gjermania, Mehaj: Nder i madh një vlerësim i tillë


Jorn Rohde dhe Armend Mehaj

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka konsideruar si “nder” që po i bëhet atij, urdhrin ushtarak “Cross of honour in gold” që ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ja dha në emër të Ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

“Është vërtetë nder që të pranohet një vlerësim i tillë nga një shtet partner i yni siç është Gjermania. Për më tepër kur theksohet bashkëpunimi i ngushtë, koordinimet dhe qëllimet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ish-Ministri i Mbrojtjes potencoi se “ishte nder që në këtë ceremoni të jenë të pranishëm Kryeministri (Albin) Kurti, ambasadorë të shteteve të QUINT-it, Komandanti i FSK-së, Gjeneral Jashari, Ministri (Ejup) Maqedonci, ambasadori i Bashkimit Evropian, Komandanti i KFOR dhe zyrtarë tjerë ndërkombëtarë e vendorë”.

“Faleminderit për vlerësimin, rruga jonë do të jetë gjithnjë krah për krah njëri tjetrit si partner të besueshëm”, përfundoi ai.

Këtë të enjte, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dekoruar ish-Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj – i cili të martën dha dorëheqje – me medaljen e Kryqit të Nderit në Ar nga Forcat e Armatosura gjermane.

Përmes një cicërime në Twitter, Rohede tha se është i lumtur për ndarjen e Kryqit të Nderit në Ar nga Forcat e Armatosura Federale të Gjermanisë për ish-ministrin Mehaj, “duke njohur rolin e tij kryesor në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

“Urime për këtë nder të merituar!”, përfundoi diplomati gjerman.

Ndryshe, të martën u konfirmua se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, të cilën e mbante që nga 22 marsi i vitit 2021.

Arsyetimi i Mehajt ishte se një gjë të tillë e ka bërë për shkaqe familjare, por burime të Albanian Post brenda ministrisë së Mbrojtjes bënin me dije se pakënaqësitë që kishte Mehaj me zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë e kanë shtyrë atë që ta marr një vendim të tillë.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj ndër të tjera në Facebook.

Në fakt, sipas burimeve të AP-së, Mehaj e kishte ofruar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj, kjo siç thoshte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, si masë e parë ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të qeverisë për ta de-eskaluar situatën në Veri, pas tensioneve të krijuara atje, që nga 26 maji.

Mirëpo, AP merr vesh se kjo nuk ka qenë e vetmja arsye që e kanë shtyrë Mehajn që ta marrë një vendim të tillë.

Mehaj ka pasur pakënaqësi me disa kontrata që janë nënshkruar në këtë dikaster.

Njëra nga to ka qenë edhe kontrata për blerjen e doneve Bayraktar TB-2, të cilët Kosova i ka blerë nga Turqia, ndërsa blerja e tyre u bë publike nga kryeministri Kurti më 16 korrik.

Armend Mehaj në qeverinë e dytë të Albin Kurti, të votuar me 22 mars të vitit 2021, kishte ardhur si prurje nga jashtë. Ai kishte shërbyer si ushtarak në Forcat e Armatosura të Norvegjisë – aty ku edhe kishte jetuar – ku kishte marrë pjesë në shumë misione ndërkombëtare.

Në këtë pozitë, Mehajn do ta pasojë kolonel Ejup Macedonci, i cili para pak kohësh doli në pensionim të parakohshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore