Shqipëria

U arrestua për korrupsion, Apeli refuzon për të tretën herë kërkesën e Enkelejda Hoxhës


Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar për të tretën herë, kërkesën e ish-gjyqtares Enkelejda Hoxha, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati mbrojtës i Hoxhës paraqiti një raport shëndetësor të fëmijës së saj, por që Apeli nuk e mori parasysh.

Ish-gjyqtarja kërkoi që të ndryshohej masa e arrestit me burg, që të kujdesej për djalin dhe babin e saj të sëmurë.

Babai i hoxhës vuan nga sëmundja parkinson-it, ndërsa i biri, 19 vjeç, është me sindromën e autizmit.

Shtatë janë kërkesat që Gjykatat kanë refuzuar ndryshimin e masës për ish-gjyqtaren Hoxha. Apeli po e refuzon për të tretën herë, ndërsa ka pasur dhe katër të tjera në Shkallën e Parë.

Kujtojmë se gjyqtarja Hoxha operonte në Gjykatën e Krujës. Ajo është arrestuar dhe pezulluar nga detyra më 11 shkurt.

Arrestimi i saj ka ardhur pasi, nga hetimet disa mujore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), rezultoi se ajo kishte liruar nga burgu persona të njohur të botës së krimit kundrejt miliona eurove në shkëmbim të lirisë.

Gjatë sekuestrimit në shtëpinë e saj u gjetën 9 mijë dollarë.

Hetimet e SPAK-ut nxorën zbuluar dhe avokatin Aldo Tabaku dhe tetë punonjës të tjerë të Gjykatës së Krujës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore