Lajme

Twitter bllokon llogaritë e opozitës indiane pasi shkelën ligjet vendase mbi fëmijët


Agjencia e lajmeve “CNN”, raporton nga Nju Delhi se partia kryesore opozirtare e Indisë ka hedhur akuza ndaj Twitter për pengimin e lirisë së fjalës, pasi kompania ndërmori veprime kundër qindra postimeve në Twitter që identifikonin familjen e një fëmije që dyshohet se ishte përdhunuar dhe vrarë më pas.

Vendimi i Twitter erdhi pas thirrjes së Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve në Indi për të bllokuar shpërndarjet e lajmit, ku thuhej se identifikohej një vajzë 9-vjeçare e cila u vra në kryeqytetin e Indisë në fillim të këtij muaji. Policia në Nju Delhi po heton akuzat për përdhunim të bëra nga familja dhe fqinjët e viktimës.

Vajza ishte anëtare e komunitetit Dalit, grupit më të shtypur në sistemin hierarkik të hinduve në Indi. Katër burra janë arrestuar për këtë ngjarje edhe pse nuk janë akuzuar ende.

Ngjarja nxiti hetim gjyqësor dhe në vend pati protesta nga fshatarësia dhe aktivistët e zemëruar, të cilët mendojnë se qeveria e kryeministrit, Narendra Modi, nuk ka bërë sa duhet për të adresuar problemet që lidhen me sulmet seksuale.

Disa nga kritikët më të zëshëm të Modi-t janë anëtarët e Partisë së Kongresit, që është opoztia kryesore në vend. Udhëheqësi i Kongresit dhe deputeti, Rahul Gandhi, postoi në Twitter një fotografi të tijën me prindërit e vajzës dhe shkruajti “lotët e prindërve thonë një gjë, vajza e tyre, vajza e vendit, meriton drejtësi”.

Komisioni Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Indi i kërkoi Twitter-it të ndërmarrë veprime për të ndaluar shpërndarjen e imazhit të postuar nga Gandhi.

Agjencia tha se duke postuar në Twitter një fotografi të familjes së vajzës, Gandhi njëkohësishtë kishte zbuluar edhe identitetin e një viktime të sulmit seksual, çka është në shkelje të ligjit indian.

Llogaria e Gandhi-t në Twitter e cila ka rreth 19.5 milionë ndjekës u mbyll gjatë fundjavës sipas asaj që raportohet nga llogaria zyrtare e Partisë së Kongresit në Twitter.

Një nga zëdhënësit e Twitter-it i pyetur nga “CNN Business” në lidhje me bllokimin e llogarisë së Gandhi-t tha se “përmbajtja specifike” e shënuar nga organi i të drejtave të fëmijëve në Indi u rishikua dhe u konsiderua në kundërshtim me politikat e kompanisë pasi mund të këtë zbuluar identitetin viktimës së sulmit seksual.

“Ne kemi ndërmarrë veprime proaktive në disa qindra Tweets që postuan një imazh që shkelte rregullat tona”, tha zëdhënësi, duke vijuar më tej se “disa lloje të informacioneve private mbartin rreziqe më të mëdha se të tjerat dhe qëllimi ynë është gjithmonë të mbrojmë privatësinë dhe sigurinë e individëve”.

Partia e Kongresit reagoi kundër vendimit të Twitter në një postim në Facebook të enjten.

“Kur udhëheqësit tanë u futën në burg, ne nuk kishim frikë. Pra, pse duhet të kemi frikë nga mbyllja e llogarive tona në Twitter?”, ka qenë ky postimi i partisë në median sociale Facebook.

“Ne jemi Kongresi (partia), ky është mesazhi i njerëzve, ne do të luftojmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Zëdhënësi i Kongresit, Rohan Gupta, tha për “CNN Business” të enjten se 5 mijë llogari ishin bllokuar nga Twitter-i pasi postuan foton e Gandhi-t. Ai akuzoi kompaninë se “vepronte nën presionin e qeverisë”.

“Unë e kuptoj pozicionin e Twitter-it se nuk ka zgjidhje tjetër përveç bllokimit të llogarive që shkelin ligjin indian dhe politikën e Twitter-it. Ndërsa ligji është ai që është, politika mund të rishikohet”, tha nëpërmjet një postimi në Twitter, Shashi Tharoor-i, një nga udhëheqësit e lartë të partisë.

“Bllokimi automatik i llogarive është një hap ekstrem që pengon lirinë e shprehjes së qytetarëve indianë”, vijoi të thoshte ai.

Sipas politikave të Twitter-it, nëse një “tweet” shkel politikat e kompanisë dhe nuk fshihet nga mbajtësi i llogarisë, kompania e bllokon llogarinë dhe e fsheh “tweet-in” pas një njoftimi që pohon shkeljen e politikave të tyre.

Mbajtësi i llogarisë mund ta zhbllokojë llogarinë duke hequr postimin ose duke apeluar vendimin e Twitter-it, por në këtë rast duhet të ketë sukses në apelim.

Twitter-i ka muaj që është në situatë të vështirë në Indi, pasi qeveria prezantoi rregulla të reja për mediat sociale, të cilat duhet të ishin në përputhje me ligjet lokale dhe të adresojnë ankesat e përdoruesve indianë.

Në maj, Twitter-i shprehu shqetësime në lidhje me “rregullat e reja” dhe “kërcënimet e mundshme ndaj lirisë së fjalës” në Indi, por më pas u zotua se do të përmbushte kërkesat e reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore