Lajme

“Turqia dhe Armenia do të zhvillojnë bisedime në Rusi”


Turqia dhe Armenia do të kenë bisedimet e tyre të para në Moskë.

Është kjo deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, dhënë gazetarëve në një takim vjetor të hënën e 27 dhjetorit.

Duke vënë në dukje se të dy palët kanë emëruar përfaqësues të posaçëm, ministri i Jashtëm tha se Ankaraja dëshiron të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me Jerevan-in përpara takimit zyrtar.

“Një udhërrëfyes ku të përshkruhen hapat që duhen ndërmarrë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të përcaktohet nëse kontaktojmë drejtpërdrejt, duke përfshirë vizitat dypalëshe”, tha Çavuşoğlu.

Pas vitesh të lidhjeve të ngrira, vendet fqinje të Turqisë dhe Armenisë kanë njoftuar se kërkojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet mes përpjekjeve për integrim dhe bashkëpunim rajonal në Kaukazin e Jugut.

Më parë këtë muaj, të dy vendet emëruan të dërguar të posaçëm për të normalizuar marrëdhëniet.

Turqia emëroi ish-ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara, Serdar Kılıç, si të dërguar special për të udhëhequr diskutimet e normalizimit me Armeninë.

Ankaraja dhe Jerevani nuk kanë pasur asnjëherë raporte zyrtare diplomatike.

Turqia, aleate kyçe e Azerbajxhanit, shtet ku flitet turqishtja, e ka mbyllur kufirin me Armeninë që prej viteve ‘90, për shkak të pushtimit të Nagorno-Karabakut me rrethinë nga Armenia.

Në vjeshtën e vitit 2020, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtëjavore në këtë rajon të diskutueshëm, ku humbën jetën mbi 6 mijë e 500 persona.

Zhvendosja e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta, me masakra nga ushtarakët dhe grupet e milicisë nga të dyja palët duke rritur numrin e të vdekurve.

Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid”, por i përshkruan ngjarjet e vitit 1915 si një tragjedi në të cilën të dyja palët pësuan viktima.

Ankaraja ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni të përbashkët të përbërë nga historianë, nga Turqia e Armenia dhe ekspertë ndërkombëtarë për të trajtuar këtë çështje.

Gjatë konfliktit të Nagorno-Karabakut vitin e kaluar, Ankaraja mbështeti Bakun dhe akuzoi Jerevanin për pushtimin e territoreve të Azerbajxhanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore