Lajme

Turqia akuzohet për vrasjen e komandantes kurde në Siri


Një komandante kurde në Forcat Demokratike Siriane, Salwa Yusuk mbeti e vrarë në një atentat me dron në Siri më 22 korrik.

Ajo ishte pjesë e grupit të mbështetur nga SHBA-të që ndihmoi në mposhtjen e ISIS-it.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja izraelite “The Jerusalem Post”.

Sulmi i Turqisë, duke përdorur një dron të armatosur, është përpjekja e fundit e Ankarasë për të sulmuar forcat anti-ISIS të mbështetura nga SHBA-të.

Autoritetet turke kanë inkurajuar gjithashtu grupet ekstremiste që të bombardojnë zonat e Sirisë rreth Tel Tamr, duke dëbuar civilët nga shtëpitë e tyre.

Të njëjtat grupe kanë shënjestruar kishat dhe janë akuzuar për spastrim etnik të kurdëve dhe jazidëve, si dhe për rrëmbim dhe abuzim të grave.

Përveç kësaj, sulmet turke dyshohet se vranë katër anëtarë të tjerë të një force kurde të sigurisë në jug të Ayn Issa-s dhe vranë nëntë turistë në Irakun verior javën e fundit.

Vrasja e shënjestruar e Salwa Yusuk-ut nga një dron duket të jetë një ekzekutim jashtëgjyqësor.

Në të kaluarën, grupet e të drejtave të njeriut si Amnesty International kanë shqyrtuar sulmet e armatosura me dron në kontekstin e ekzekutimeve jashtëgjyqësore.

Sipas një deklarate të Komandës Qendrore të SHBA-ve, “Salwa Yusuk (ose Ciyan Afrin) një zëvendës komandante e Forcave Demokratike Siriane (SDF) – së bashku me 2 kolege luftëtare – u vra në një sulm pranë Qamishli, Siri, më 22 korrik 2022”.

Ankaraja pretendon se po lufton “terroristët”, por në shumë raste, nuk ka asnjë provë që ata të cilat janë vrarë të kenë kryer ndonjë akt “terrori”.

Ankaraja pretendon se SDF-ja është e lidhur me PKK-në të cilën e quan një grup “terrorist”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore