Sport

Trepça fiton klasiken kundër Sigal Prishtinës


Trepça ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 94:72 (23:20, 24:17, 26:16, 21:19), në ndeshjen e mbetur të xhiros së gjashtë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Pesë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë deri tek rezultati 11:11, kur vendasit hyn në një seri prej 10:0, për 21:11, por më pas rikthehen prishtinasit, ndërsa çereku i parë përfundon 23:20. Periudha e dytë ishte interesante, ku rezultati ishte i ngushtë dhe tre minuta nga fundi ishte 37:37, megjithatë vendasit hyn sërish në një seri prej 10:0, duke shkuar në pushim me epërsi 47:37.

Mitrovicasit nuk u ndalën në periodën e tretë, duke rritur edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 73:53, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në 10 minutat e fundit pamë një lojë, ku mitrovicasit ruajtën epërsinë e krijuar dhe prishtinasit që nuk arritën të bëjnë përmbysje dhe Trepça triumfoi me rezultat 94:72.

Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 16 pikë e gjashtë kërcime, Taurus Cockfield Jr me 22 pikë dhe Samir Zekiqi me 17 pikë, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Dachon Burke me 16 pikë, Wendell Mitchell dhe Don Polloshka me nga 14 pikë.

Trepça ka gjashtë fitore dhe dy humbje, kurse Sigal Prishtina katër fitore dhe katër humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore