Sport

Tre opsionet e Milan-it, pas largimit të mundshëm të Çalhanoglu-së


Yllit të mesfushës së Milan-it, Hakan Çalhanoglu, i përfundon kontrata me kuqezinjtë në verë. Ai ende nuk ka nënshkruar kontratë të re, çka ka sjellë edhe reagimin e Milan-it, duke kërkuar lojtarë për të mbuluar rolin e trekuartistit.

Milan-i është kualifikuar në Ligën e Kampionëve pas disa vitesh mungesë dhe synon të krijojë një ekip konkurues dhe të fortë. Tashmë ata kanë konfirmuar transferimin e parë: Mike Maignan-in, nga Lille.

Portieri do të zëvendësojë Gianluigi Donnarumma-n, të cilit gjithashtu i përfundon kontrata në verë dhe nuk kishte gjetur gjuhën e përbashkët me klubin për rinovimin e saj.

Ngjashëm duket situata edhe me turkun Çalhanoglu, ku edhe në këtë rast, Milan-i duket se s’do humbasë kohë, por do të veprojë në merkato, ku janë shfaqur tre emra.

Sipas Calciomercato, tre mundësitë e kuqezinjve për të zëvendësuar Çalhanoglu-n, janë: Rodrigo de Paul-i, Josip Iliçiç-i dhe Henrikh Mkhitaryan-i.

De Paul është opsioni i parë. Ai është një nga lojtarët më të mirë në Serinë A dhe mund t’i japë ekipit cilësi në mesfushë, për sezonin e ardhshëm. Argjentinasi dëshiron largimin nga Udinese, por pavarësisht se klubi nuk e dëshiron diçka të tillë, për një shumë 30-35 milionë euro, ai mund të largohet.

Iliçiç është plani B. Slloveni ka edhe një vit kontratë me Atalanta-n, por mund të largohet këtë verë. Ai është lojtar me përvojë dhe mund t’i ndihmojë kuqezinjtë në Ligën e Kampionëve dhe mund të afrohej me një çmim të ulët.

Mkhitaryan ishte një nga lojtarët më të mirë te Roma dhe në Serinë A këtë sezon. Ai përfundon kontratën në verë me verdhekuqtë, por mbetet disi e paqartë situata e tij, pasi në krye të pankinës së klubit do të vijë Jose Mourinho, me të cilin nuk ka marrëdhenie të mira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore