Film

Tre filma shqiptarë triumfues në Varshavë, ‘Pa Vend’ fiton në Qipro


Filmi fitues i Sundance “Zgjoi” nga Blerta Basholli është vlerësuar me çmimin e garës ndërkombëtare ‘1-2 Competition’ në festivalin e Varshavës, që u jepet regjisorëve për filmin e parë ose të dytë të gjatë.

Njëkohësisht ‘Virgjëresha Shqiptare’, nga Bujar Alimani, në bashkëprodhim me Kosovën, ka fituar ‘Çmimin Special të Jurisë’ në kategorinë kryesore dhe ‘Çmimin e Jurisë Ekumenike’.

‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luana Bajrami, u shpërblye me çmimin ‘FIPRESCI’, që ndahet nga “Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit” (Fipresci) për regjisorët nga Evropa Lindore me filmin e parë ose të dytë të gjatë.

Ndërsa filmi me metrazh të shkurtër ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda ka fituar çmimin ‘Filmi më i Mirë i Shkurtër’ në festivalin e filmit të shkurtër të Qipros.

“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishte e mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë. Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale të tjera që na presin”, u shpreh regjisorja Blerta Basholli.

“Për aftësinë e tij, për të portretizuar pasionin për sportin, shpengimin e një vendi dhe të një komuniteti që dëshiron t’i japë kuptim ekzistencës së tij, përmes një tregimi të fuqishëm, rigoroz, por thelbësor dhe prekës, i cili bëhet një reflektim i thellë mbi vullnetin njerëzor”, deklaroi juria e festivalit të Qipros me rastin e ndarjes së çmimit kryesor për filmin ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda.

‘Zgjoi’ ka si producent Yll Ukën dhe është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

‘Virgjëresha Shqiptare’ është bashkëprodhim mes Gjermanisë, Belgjikës, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në rolet kryesore luajnë: Rina Krasniqi, Gresa Pallaska, Alban Ukaj, Astrit Kabashi.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luana Bajrami.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore