Lajme

“Tre adoleshentë në ditë vetëvriten, 9 milionë me çrregullime mendore”


Tre adoleshentë në ditë vetëvriten, ndërsa nëntë milionë adoleshentë jetojnë me një çrregullim të shëndetit mendor.

Këto janë të dhënat alarmante të raportit të fundit, publikuar nga UNICEF për Evropën .

Gjithashtu edhe aksidentet rrugore shkaktojnё shumё vdekje tek tё rinjtё.

Rreth 1 mijё e 200 fëmijë dhe adoleshentë të moshës 10 deri në 19 vjeç i japin fund jetës çdo vit, tregohet në raport.

Përveç sa më sipër, shkak është edhe virusi i COVID-19 që vazhdon të shkaktojë shifra alarmante në viktima.

Brief – një analizë e përqendruar në Europë e raportit vjetor të UNICEF “Gjendja e fëmijëve të botës: Në mendjen time” – gjithashtu siguron të dhëna shqetësuese mbi stresin.

Në vitin 2019, shkalla e vetëvrasjeve, sa u përket djemve, vlerësohet të jetë shumë më e lartë se te vajzat, përkatësisht 69% dhe 31%.

Grupmosha më e prekur është ajo midis 15 dhe 19 vjeç, nё njё shifёr prej 1 mijё e 37 kundrejt 161 midis moshёs 10 dhe 14 vjeç.

Përqindja e problemeve të shëndetit mendor për djemtë dhe vajzat në Evropë, midis moshës 10 dhe 19 vjeç, është 16.3 për qind.

Shifra globale për të njëjtën grupmoshë është 13.2 për qind.

Kombet me përqindjen më të lartë në Evropë, ndër 33 të shqyrtuarit, janë: Spanja (20.8%), Portugalia (19.8%) dhe Irlanda (19.4%).

Ndërsa, kombet me përqindjen më të ulët, gjenden kryesisht në Europën Lindore: Polonia (10.8%) , Republika Çeke (11%), Bullgaria, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia (11.2%).

“Pandemia e COVID-19 ka nxjerrë në pah disa faktorë që kanë vënë në rrezik shëndetin tonë mendor: izolimi, tensionet familjare, humbja e të ardhurave”, tha Mbretëresha Mathilde e Belgjikës në prezantimin e Brief në Bruksel.

Ndërsa përfaqësuesi i UNICEF-it ​​për Institucionet e Bashkimit Europian, u shpreh se “ne tani e dimë se mosreagimi ka një kosto të lartë.

Humbja vjetore e kapitalit njerëzor që rrjedh nga kushtet e përgjithshme të shëndetit mendor në Evropë te fëmijët dhe të rinjtë midis 0 dhe 19 vjet është 50 miliardë euro”.

Po ashtu, përmbylli deklaratën ai, “UNICEF identifikon disa ndërhyrje prioritare për institucionet evropiane dhe qeveritë kombëtare, duke përfshirë shërbimet e shëndetit mendor dhe infrastrukturat më të mira rajonale”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore