Shqipëria

Blerina Bala në krye të Himarës, Rama: Shumica e himariotëve nuk i përket llogores së konfliktit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar zgjedhjen e sotme nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë, një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

Kryeministri në reagimin e tij në X ka komentuar edhe ndërhyrjen e mbështetësve të Fredi Belerit për të penguar zhvillimin e mbledhjes.

Sipas tij, përpjekja “e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv”.

Për Ramën, ky i fundit ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat dhe nevojat legjitime të popullit të Himarës.

Votimi

Këshilli Bashkiak i Himarës ka komanduar Blerina Balën për drejtimin e bashkisë. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka bashkuar votat me Partinë Socialiste për të komanduar nënkryetaren.

Kjo e fundit mori 15 vota pro.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura pas trazirave në nisje të saj.

Sipas informacioneve paraprake banorët – me thirrje në gjuhën greke – kanë kundërshtuar prezencën e prefektit e Vlorës, Vangjel Tavo, si dhe drejtuesit të Partisë Socialiste për qarkun, Blendi Klosin.

Banorët ishin mbështetës të Fredi Belerit, kandidati që fitoi zgjedhjet, por u arrestua pasi u vërtetua se kishte blerë vota. Asokohe, në detyrë mbeti kandidati që humbi zgjedhjet, Jorgo Goro, i cili pak ditë më parë u arrestua nga SPAK.

Më herët, për mediat dha një prononcim, prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo. Ai u shpreh se diçka e tillë është kompetencë e këshillit dhe janë ata përgjegjës nëse diçka e tillë vendoset në rend dite.

“Nuk ka votë, fletë votimi, kuti votimi, komision votimi. Por vetë këshilli cakton. Procedurën se si e cakton është punë e tyre. Mundet që një nga anëtarët e këshillit të propozojë një nga dy nënkryetarët dhe të kërkohet miratimi me ngritjen e dorës. Pra cakton, nuk zgjedh. Duhet ta sqarojmë këtë gjë për publikun”.

Një lëvizje politike e gjithëpranuar, jo vetëm së brendshmi, por edhe së jashtmi, e cila do të mund të shteronte një problem dialogues të muajve të fundit, sa i takon Bashkisë Himarë.

Cila mund të ishte ajo?

Emri është Vangjel Tavo, eksponent i njohur i Lëvizjes Socialiste për Integrim (sot Partia e Lirisë), ish-ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prej një dite edhe Prefekt i Qarkut Vlorë.

Pjesë e dikurshme e kabinetit qeveritar Rama 1, sot disi më i tërhequr nga jeta aktive politike e vendit.

Një figurë e pranuar, por mbi të gjitha pjesë e minoritetit grek në Shqipëri…jo atij minoriteti përfaqësuar nga figura të diskutueshme të dikurshme si Vasil Bollani, apo sot Fredi Beleri, të cilët kanë krijuar gjithnjë ndasi e kontroversion në publik.

Tavo është ekzaktësisht e kundërta e Fredi Belerit, fituesit të garës bashkiake të Himarës, sot i dënuar me vendim gjykate për korrupsion aktiv në votime.

Tavo është ndër ata minoritarë, të cilët ekuilibrin e kanë edhe te bindjet personale – ai nderon flamurin shqiptar, nderon ditët historike të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë, nderon figurat më të shquara të kombit, përfshi fjala bie edhe studiuesin e lartësuesin më të madh të gjuhës shqipe, Eqrem Çabejn.

Ai këtë e bën dhe e bën publikisht, ndaj dhe gjerësisht gëzon respektin popullor, por edhe atë të palëve.

Historikun e vet politik në fakt, Tavo e ka nisur pikërisht me Partinë Socialiste, por ai iu bashkua më tej fraksionit të Ilir Metës fillimisht, i cili më pas përfundoi të ishte Lëvizja Socialiste për Integrim.

Tavo mund të cilësohet edhe si një person që nisi traditën e fitoreve socialiste në Gjirokastër, pasi në vitin 1996, ai fitoi zgjedhjet aty dhe mori për herë të parë mandatin e deputetit.

Në vitin 2010 më tej, e la PS-në për t’iu bashkuar LSI-së, u bë edhe nënkryetar parlamenti dhe ministër mandej.

Fakti është gjithsesi që pas prishjes së kontratës mes PS-së dhe LSI-së, nga ana e Tavos nuk ka pasur asnjëherë deklarata denigruese kundrejt palës tjetër të majtë.

As nga Partia Demokratike, qoftë kur ai ka qenë kundërshtar, apo edhe në aleancë, nuk ka pasur ndonjëherë deklarata, të cilat e kanë ulur figurën e Tavos dhe profili i tij i mbajtur i ulët, reflekton se është një kandidat i pakontestueshëm për të qenë në krye të Himarës.

Në fillim të vitit, pati madje një artikull në mediat greke, ku Tavo përshkruhej si një person që mund të zinte vendin e Belerit. Të qenit minoritar, ishte një shtytje plus.

Asokohe, kryeministri Rama e mohoi diçka të tillë, duke thënë se janë thjesht “historira të marra nga mediat greke”.

Sipas të të përditshmes greke Kathimerini ndëkaq, Tavo e “pati pranuar këtë ‘ftesë’ të Ramës”.

Në artikull shkruhej madje se Rama dhe Tavo janë takuar në një kafene të njohur në kryeqytetin shqiptar dhe atje kryeministri shqiptar, pasi i ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund ngërçit me Athinën, dyshohet se i ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim duke marrë përsipër të jetë kryebashkiaku i përkohshëm i Bashkisë Himarë.

Por në realitet diçka e tillë nuk ndodhi, pasi sot Tavo është Prefekt i Vlorës.

Mundet kjo gjithsesi të ketë qenë thjesht një lëvizje afruese, për ta rikthyer e lakuar emrin e tij në politikë dhe për të bërë më pas që ai në realitet të jetë kandidat për këtë pozitë?

Beleri është dënuar në ndërkohë dhe vetëm Apeli mundet t’ia japë një rrugë shpëtimi, edhe pse duket tejet e vështirë të kthehet vendimi i GJKKO-së.

Ndërsa, Tavo, afërmendsh është figurë, e cila e ka kaluar filtrin edhe të politikës në Greqi, pasi dihet afërsia e medias Kathimerini me qeverinë e Kyriakos Mitsotakis dhe një artikull i tillë nuk mund të ketë dalë jashtë një konsultimi me faktorët politikë.

Për kontekst, në vitin 2019, Tavo dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, patën zhvilluar një takim me kryeministrin grek të asaj kohe, Alexis Tsipras.

Dule, i cili me forcën e tij politike ka qenë gjithnjë përfaqësues kryesor i minoritetit grek në Parlamentin shqiptar, e ndau atëherë rolin me Tavon dhe Tsipras i pari folur për zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat e minoritetit dhe reformat e perspektivat e anëtarësimit në BE.

Po Dule, është edhe personi, i cili e mbart përgjegjësinë kryesore, së bashku me koalicionin opozitar, për të sjellë emrin e Fredi Belerit kaq në dritë në fushatën e 2023-shit dhe bërjen e tij një kauzë për Athinën.

Por një emri si Tavo, as ai vetë nuk mund t’i thotë jo në këto kushte.

Mund të jetë një situatë, e cila zgjidh realisht ngërçin me Greqinë, pa pasoja të shtuara për asnjë palë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore