Shqipëria

Transportonte 33 emigrantë të paligjshëm/ Arrestohet 31-vjeçari, në pranga një tjetër i shpallur në kërkim


Në vijim të operacionit “Perimetri”, ka rënë në duart e policisë Pogradec një shtetas që transportonte 33 emigrantë të paligjshëm – ndihmë për kalim drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa, është arrestuar një shtetas tjetër, që ishte shpallur në kërkim.

Përkatësisht është arrestuar shtetasi A. K., 31 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas po ndiqte itinerarin nga Pogradeci drejt Tiranës. Në mjetin e tij tip kamion të markës ‘Benz’, u gjendën 33 emigrantët.

Këta të fundit e kishin shpërblyer për t’iu dhënë ndihmë për kalim drejt vendeve të BE-së.

Ndërsa shtetasi A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan, ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 10 gusht, në fshatin Kalivaç, Pogradec.

Atë ditë ata kapën në flagrancë shtetasin O. Sh., duke transportuar kundrejt shpërblimit në drejtim të Tiranës, pesë emigrantë të paligjshëm.

Ndërkohë 53-vjeçari A. B. – në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti të paligjshëm – nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore