Lajme

Trafiku urban në Prishtinë të shtunën dhe të dielën do të jetë falas


Trafiku urban.

Në Prishtinë, me 21 maj dhe 22 maj, transporti me trafikun urban në Prishtinë do të jetë falas për të gjithë qytetarët.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ju njoftojmë se nesër dhe pasnesër, me datë 21 dhe 22 maj, transporti me Trafiku Urban, do të jetë pa pagesë”, thuhet në njoftim.

Kjo po bëhet për t’i inkurajuar qytetarët që të përdorin sa më shumë transportin publik.

Komuna e Prishtinës.

Gjithashtu, Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur se të shtunën dhe të dielën, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 do të vazhdojë testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

“Ju njoftojmë se, të shtunën më 21 maj dhe të dielën më 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqyetetit në qarkore njëkahëshe për automjetet”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna ka apeluar tek qytetarët që të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i testimit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të Task Forcës Rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.

Ndërsa, qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të disa rrugëve.

“Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore