Auto

Toyota ndalon autobusët vetëdrejtues pas përplasjes së një atleti paralimpik


Prodhuesi japonez i automjeteve, Toyota, ka kërkuar falje për “besimin e tepërt” te autobusi vetëdrejtues pas përplasjes së një atleti paralimpik në fshatin ku ai qëndron së bashku me atletët e tjerë.

Gjithashtu kompania ka bërë me dije se do ta pezullojë përkohësisht shërbimin.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se atleti japonez, Aramitsu Kitazono, nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në kategorinë e tij prej 81 kilogram këtë fundjavë pasi mbeti me çarje dhe mavijosje pas goditjes me automjetin e-Palette.

Ndërkohë, lëndimet e tij nxitën një ndërhyrje personale të presidentit të Toyota-s, Akio Toyoda.

“Na vjen shumë keq që aksidenti ka shqetësuar shumë njerëz”, ka thënë Toyoda. “Një automjet është më i fortë se një njeri, kështu që unë padyshim u shqetësova se si ishte. Kjo tregon se automjetet autonome nuk janë ende realiste për rrugë normale”.

Si pjesë e sponsorizimit të saj për Tokyo 2020, Toyota ka shfaqur automjetet e saj autonome përmes një shërbimi që ka funksionuar gjatë gjithë kohës në fshatin e atletëve.

Të enjten e 26 gushtit, një nga autobusët u largua nga një kryqëzim T dhe kaloi nëpër një vendkalim për këmbësorë teksa Kitazono, një atlet me dëmtim të shikimit, po kalonte përmes.

Policia e Tokyos ka zbuluar se operatorët e automjeteve u kishin thënë atyre se “ishin të vetëdijshëm se një person ishte atje, por menduan se ai do ta kuptonte se një autobus po vinte dhe do të ndalonte kalimin e rrugës”.

Kurse të premten, Toyoda kërkoi falje për incidentin dhe deklaroi se përdorimi i autobusëve e-Palette do të pezullohej përkohësisht.

Toyoda ka shkuar vetë në vendin e aksidentit dhe gjithashtu ka rishikuar pamjet video të incidentit. Ai ka pranuar se “kishte pasur besim të tepërt” në teknologjinë e drejtimit autonom.

Ndërsa, trajneri i Kitozano, Yoshiyasu Endo, ka treguar se atleti 30-vjeçar po e merrte veten nga aksidenti.

“Ne do të kryejmë hetimin tonë të plotë mbi shkakun e aksidentit dhe do të vazhdojmë të koordinojmë ngushtë me Komitetin Organizues të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Tokyo-s për të siguruar që të parandalojmë çdo incident në të ardhmen”, ka deklaruar kompania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore