Lajme

Torres flet me zyrtarin e lartë për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së: Kosova të trajtohet me respekt e paanësi në dialog


Ritchie Torres

Ritchie Torres, anëtar i Partisë Demokratike dhe përfaqësues i distriktit të 15-të të Nju Jorkut në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka biseduar të martën me zëvendës-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Jonathan Finer, në lidhje me situatën e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Torres, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka bërë me dije se njërit prej diplomatëve kryesor në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, ia ka shprehur domosdoshmërinë që Kosova të trajtohet në mënyrë të paanshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

“Si kongresmen për Bronksin, përfaqësoj mijëra shqiptarë nga Kosova, ia përcolla nevojën për të mbështetur marrëdhëniet speciale SHBA-Kosovë – të cilën ai e kupton thellësisht – dhe nevojën që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të trajtojë Kosovën me paanësi dhe respekt, siç e meriton një shtet-komb sovran”.

Kongresmeni amerikan vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në BE. Madje, ai i pati shkruar personalisht edhe presidentit Biden, ku kishte kërkuar që kjo çështje të trajtohet urgjentisht. Torres me dhjetëra herë iu ka bërë thirrje edhe pesëshes evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, ai ishte në mesin e nënshkuresve të letrës së dhjetëra ligjëvënësve evropianë drejtuar SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë së Madhe, lidhur me situatën në veriun e trazuar të Kosovës, ku kërkohej një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore