Lajme

Todosijeviç nuk paraqitet në burg, por lëshon Kosovën


Ivan Todosijeviç - Deputet i Kuvendit të Kosovës

Data, 6 tetor në ora 12:00 është afati i fundit për të nisur ekzekutimin e dënimit me burgim prej 2 vjetësh, të deputetit të Kuvendit dhe ish ministrit të pushtetit lokal, Ivan Todosijeviç, por burime të mediave kosovare kanë marrë vesh se ai nuk do të paraqitet në burgun e Mitrovicës, sepse i njëjti thuhet se është arratisur nga Kosova.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila me datë 17 shtator, i kishte dërguar Todosijeviçit ftesën zyrtare për t’u paraqitur në gjykatë.

Gjykata Themelore – Prishtinë, Kosovë.

“Ju njoftojmë se procedura për ekzekutim të sanksionit penal ndaj të dënuarit I.T. është në procedurë e sipër”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar njoftimin nga avokati mbrojtës i të dënuarit I.T., se i njëjti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka kërkuar shtyrje të afatit për paraqitje në vuajtje të dënimit me burg” , thuhet në një shpjegim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Edhe pse ka bërë një kërkesë në gjykatë, avokati i Todosijeviç, Nebojsha Vlajiç, në një intervistë për Klan Kosova, ka thënë se “akoma nuk kanë pranuar një thirrje për t’u paraqitur në burg”.

Por, një deklaratë të tillë e demantoi vetë shefi i zyrës serbe për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, i cili me datë 24 shtator, gjatë një prononcimi për media, kishte treguar publikisht se Todosijeviç ka pranuar një ftesë të tillë.

Petar Petkoviç.

Ndërkohë, arsyeja që Vlajiç ka përdorur për ta justifikuar Tososijeviçin, i cili ndodhet jashtë shtetit, nuk bën pjesë në listën e arsyeve që sipas ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, një i dënuar mund t’i përdorë për të kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit.

Ndryshe, Todosijeviç më pesë dhjetor 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vite burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.

Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviç me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.

Në anën tjetër, ulësen e tij pritet ta zë deputetja e Listës Serbe Dragana Antoniejeviç. Kjo pasi që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, Antoniejeviç është deputetja me më së shumti vota. Pavarësisht se ajo kishte siguruar 6,919 vota, nuk kishte arritur të siguroi ulësen e deputetes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore