Sport

Tjetër ndryshim në listën e Shqipërisë U-21, ikën Tedi Cara i dëmtuar, ftohet Arinaldo Rrapaj


Kombëtarja e Shqipërisë U-21 vazhdon përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës në eliminatoret e EURO 2023 ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, që të dyja këto sfida në transfertë.

Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore pasditen e hënës në fushën e “Olimpik Park” në Durrës.

Departamenti i Komunikimit në FSHF ka bërë me dije se futbollisti Tedi Cara ka pasur probleme fizike dhe me të ardhur në grumbullim i është nënshtruar ekzaminimeve përkatëse.

Pas konsultave me stafin mjekësor të Kombëtares U-21 u konkludua se Cara nuk mund të rikuperohet për këto dy ndeshje.

Kësisoj,  u vendos që sulmuesi të largohet nga grumbullimi dhe në vend të tij është thirrur futbollisti Arinaldo Rrapaj i Partizanit.

Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshjet e radhës të Europianit në transfertë, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 nëntor ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore