Përballje

Tjetër fitore bindëse e Kosovës


Djelmoshat e Kosovës në basketboll, kanë shënuar tjetër fitore bindëse ndaj Moldavisë, me rezultat 122:42, në FIBA European Challenger U16.

Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, 16-vjeçarët e filluan shumë mirë takimin, duke dominuar qysh në fillim ndaj modaleve, derisa çereku i parë u mbyll me rezultat 34:15.

Edhe çereku i dytë, ashtu sikurse e gjithë ndeshja ishte në favor të Kosovës, teksa pas 20 minutave lojë, shifrat në semafor ishin 60:25 në favor të djelmoshave kosovarë.

Çereku i tretë ishte një dominim i mrekullueshëm i dardanëve, pasi që e fituan me shifrat 37:3, ndërsa edhe të katërtin e fituan bindshëm me rezultat 25:14, për rezultatin përfundimtar 122:42.

Me këtë fitore Kosova pozicionohet në vendin e parë në grup, me katër pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Malta e Gjibraltari me nga tri, kurse Shqipëria dhe Moldavia pozicionohen të fundit me nga një pikë, por edhe me një ndeshje më pak.

Te Kosova u dalluan Arlind Konjuhi me 26 pikë, Eris Zeneli me 22 dhe Rron Dahsyla me 9 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime.

Derisa, kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Kosovën, pas asaj ndaj Maltës, duke kryesuar grupin, kurse të mërkurën (nesër) përballet me Gjibraltarin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore