Shqipëria

Tiranë/ 10 të arrestuar dhe 6 të proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale


Në Tiranë janë vënë në pranga 10 shtetas dhe janë proceduar penalisht gjashtë të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit me iniciale M. B., 32 vjeç dhe H. S., 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.

Gjithashtu është arrestuar shtetasi me iniciale M. J., 41 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.

Kurse Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. N., 25 vjeç për veprën penale “Vjedhja” dhe K. M., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndërkaq, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin S. K., 39 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Policia e Shtetit njofton gjithashtu se në komisariatin e Vorës është arrestuar shtetasi I. D., 46 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, në prezencë të vajzës së tyre të mitur.

Më tej, në Kavajë janë arrestuar shtetasit Sh. R., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij pa leje drejtimi dhe A. Xh., 61 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përplasur me një mjet tjetër dhe ka lënë të dëmtuar pasagjerët.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. M., 31 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 2 është proceduar penalisht shtetasi Sh. B., 27 vjeç, pasi ka goditur me grusht, për motive të dobëta, shtetasin R. Z., 24 vjeç.

Në atë Nr. 4 janë proceduar penalisht shtetasit A. B., 46 vjeç dhe Sh. S., 58 vjeç, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi u kapën duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Ndërsa në Komisariatin e Policisë Nr. 6 është proceduar penalisht shtetasi K. A. (M)., 33 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar mjetin.

Dhe në Vorë, shtetasit J. C., 27 vjeç dhe A. E., 32 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore