Shqipëria

Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë – me të rinjtë në ikje


Të thuash se “Piramida” në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë “qëndron stoike”, do të jepje përshtypjen e gabuar.

Më shumë se një godinë prej betoni – e përdorur me qëllimin fillestar për të kryer homazhet për diktatorin e ndjerë Enver Hoxha – po kamuflohet mes godinave qeveritare në rrugën kryesore, mu në zemër të metropolit shqiptar.

Ndërtesa, që sot ngjan e shkretë, qëndron si një “shëmtirë nga e kaluara”, krahasuar me panoramën e Sheshit Skënderbej aty pranë, të modernizuar së fundmi.

E, megjithatë, kjo hije e së shkuarës së shpejti do të kthehet në një simbol për rininë e ardhshme të Tiranës. Piramida tani do të restaurohet dhe ridizajnohet.

“Kafenetë, punëtoritë dhe studiot do të gjejnë hapësirën e tyre brenda Piramidës”, thotë Klajdi Priska, një nga nismëtarët që e bëri Tiranën – Kryeqytetin Evropian të Rinisë për vitin 2022.

Ai koordinon programin mbi biznesin dhe inovacionin.

Piramida do të përdoret gjatë këtij viti edhe në funksion të titullit si Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Edhe pse duket sikur punimet për ndërtimin e objektit monumental të rrënuar, ende nuk janë në ritmin e duhur për t’u finalizuar.

Por, a do të jetë vërtet e mundur kjo në vitin 2022?

“Presim që punimet të përfundojnë në vjeshtë”, shprehet Priska optimist.

Plane ambicioze, vizitorë të spikatur

Planet për vitin si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” tingëllojnë po aq ambicioze sa planet e rinovimit të pikës së padashur të Tiranës.

Një mijë ngjarje do të organizohen dhe 23-vjeçari është i sigurt se, vetëm për këtë arsye, mijëra të rinj do të udhëtojnë këtë vit drejt kryeqytetit.

E para që çeli siparin e takimeve ishte sekretarja e Shtetit për Rininë e Austrisë, Claudia Plakolm (ÖVP).

Fillimisht, ajo u takua me ministren e Rinisë, Bora Muzhaqi, përgjegjëse për të rinjtë e vendit në qeverinë e re të kryeministrit socialist, Edi Rama, që prej shtatorit 2021.

31-vjeçarja mishëron një brez të rinj shqiptarësh, të cilët i kanë vënë vetes një synim: Të ndalojnë “ikjen e trurit” – emigrimin e të rinjve dhe të të arsimuarve shqiptarë.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik (OECD), deri në 83% e njerëzve më të arsimuar në vend mendojnë të ikin nga Shqipëria.

Pjesa më e madhe e tyre ia kanë dalë të largohen.

Kujdes nga “ikja e trurit”

Emigrimi në Shqipëri është një nga sfidat më të mëdha për vendin.

Që nga viti 2008 deri në vitin 2018, mbi 1 milion shqiptarë emigruan drejt vendeve të BE-së.

Edhe vetë ministrja Muzhaqi ka jetuar për disa vite jashtë vendit.

Ajo ka ndjekur studimet universitare për Ekonomik në Londër, më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Megjithatë, Muzhaqi, “pasi fitoi përvojë”, vendosi të kthehej në Shqipëri.

Këtë rrugë ajo po përpiqet që ta sjellë si shembull edhe për bashkatdhetarët e saj të rinj.

“Ne duam që ju të shkoni jashtë vendit dhe të fitoni përvojë”, theksoi ajo në një takim me sipërmarrësit e rinj.

Por, jo shumë të rinj po përmbushin dëshirën e saj për t’u kthyer në atdhe.

Sipas tyre, ka mungesë perspektive.

Sakaq, Shqipëria renditet ende si një nga vendet më të varfra në Evropë, ku të ardhurat mesatare mujore për vitin 2020 ishin rreth 430 euro.

Një pagë minimale statutore ka ekzistuar vetëm për një vit, e cila ishte e barabartë me 245 euro.

Stepja e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë

Përveç kësaj, procesi i anëtarësimit në BE, kohët e fundit, ka ngecur.

Në vitin 2009, Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE, dhe njihet si vend kandidat që nga viti 2014.

Në mars të 2021-shit, të parët e shteteve anëtare të BE-së dhanë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe pse mbetet e paqartë se kur do të fillojnë realisht negociatat.

Problemi qëndron te Bullgaria, e cila ka vënë veton në negociatat me Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar kështu edhe bisedimet me Shqipërinë.

Shumë të rinj e përjetojnë këtë situatë si frustruese.

Dëshira për pjesëmarrje është e madhe.

Për këtë arsye, sekretarja e Shtetit për Rininë, Plakolm, tha se “nuk ka absolutisht asgjë që e pengon Shqipërinë të integrohet plotësisht në Erasmus dhe Interrail”.

Ide që u mirëpriten nga shumë të rinj në Tiranë.

Klajdi Priska ka kryer edhe një pjesë të studimeve jashtë vendit.

Në këtë kontekst, ai mbron heqjen e pengesave. Kur flet për projektet që do të mbahen për vitin e Tiranës si kryeqytet rinor, në Sheshin Skënderbej, vihet re një aluzion i ndërkombëtarëve.

Pas tij, të rinjtë janë ulur në “Enzis” me ngjyrë bretkosash, blloqet dalluese të ulëses që janë projektuar për Lagjen e Muzeut të Vjenës dhe karakterizojnë imazhin e shesheve dhe kampuseve të shumta publike në Austri.

Priska e sheh vitin e Tiranës si kryeqytet rinor si një mundësi për të rinjtë e Shqipërisë që të provojnë veten.

“Ne duam të tregojmë se jemi pjesë e Evropës. Ne qëndrojmë për të njëjtat vlera dhe kemi një të ardhme”.

Marrë nga gazeta gjermane “DerStandard”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore