Shqipëria

Tiranës i dorëzohet çelësi që hap vitin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë


Mbrëmjen e 17 dhjetorit, qyteti i Lituanisë, Klaipėda, ka mbyllur zyrtarisht vitin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, duke i lënë vendin Tiranës, për 2022-shin.

Kreu i Bashkisë së Klaipėda i ka dorëzuar çelësin kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një ceremonie festive në Klaipėda.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se ky i 2021-shit, ka qenë një vit i vështirë për Kryeqytetin Evropian të Rinisë, ndërsa u shpreh “krenar” për këta të rinj.

Qindra aktivistë, ekspertë, përfaqësues të institucioneve publike dhe jo publike, ministra dhe zëvendësministra, kryetarë bashkie, si dhe djem e vajza gjimnazistë, kanë festuar Ditën Kombëtare të Rinisë, duke i paraprirë kështu “vitit të rinisë”.

Kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë nikoqire e 5 mijë të rinjve nga i gjithë rajoni i Evropës dhe i 1 mijë aktiviteteve rinore.

Në 2022-shin, Tirana do të shndërrohet në qytetin kushtuar “të rinjve”.

Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë

Më 21 nëntor 2019, Tirana mori titullin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022.

Ka qenë ndërveprimi i pushtetit lokal, Bashkisë Tiranë dhe i shoqërisë civile, Kongresi Rinor Kombëtar, dhe organizatave të tjera rinore/për rininë, të cilët kërkuan “me ngulm” të sillnin këtë titull në kryeqytetin e Shqipërisë.

Programi prej tetë pikash do të sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh rinore në Shqipëri.

Aspasiana Kërxhalli, delegate e Bashkisë Tiranë në EYE2021, u shpreh se ky aktivitet “na ndihmon që aktivitetet e BE-së t’i sjellim dhe në Tiranë”.

Kjo, në sajë të titullit që Tirana do të mbajë përgjatë vitit 2022.

“EYE 2021 ndërgjegjëson të rinjtë se, grupe të tilla janë mundësi potenciale për krijimin dhe fuqizimin e një network-u të mirë”, u shpreh ajo, ndërsa theksin e vuri dhe te bashkëpunimi me institucionet evropiane.

Ky titull, për Gezkën, i cili ishte pjesë e aplikimit të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, “është mundësi dhe përgjegjësi për strukturat zbatuese, gjatë vitit 2022”.

“E kemi detyrë morale të demonstrojmë qartazi se në ç’nivel është rinia shqiptare. Gjithashtu t’i tregojmë Evropës sa gati është rinia, për të qenë me të drejta të plota, për vlerat e qytetarisë aktive dhe gjithëpërfshirjes sociale”.

Këtë e ka ravijëzuar dhe kreu i qeverisë franceze, Emmanuel Macron, në Amiens, gjatë ceremonisë së Çmimit për Tiranën Kryeqytet i Rinisë.

“Integrimi është proces rritjeje standardesh në fusha të ndryshme të jetës sonë. Të rinjtë duhet të tregojnë brenda vendit të tyre sesi arrihet integrimi i mirëfilltë”, ka cituar Gezka fjalët e Macron-it.

Do të jenë mbi 5 mijë të rinj nga e gjithë Evropa, sipas KRK-së, që do të bëhen pjesë e qindra aktiviteteve në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore