Aplikacione

TikTok-u përfiton nga daljet live të familjeve në kampet siriane që kërkojnë donacione


Familjet e zhvendosura në kampet siriane po kërkojnë donacione në TikTok teksa kompania merr deri në 70 për qind të të ardhurave.

Këta përdorues dalin drejtpërdrejt në aplikacionin e mediave sociale për orë të tëra, duke u lutur për dhurata digjitale me një vlerë në para.

Në këto transmetime live, një hetim i “BBC”-së ka zbuluar se ata fitonin deri në një mijë dollarë në orë, por njerëzit në kampe merrnin vetëm një pjesë të vogël të shumës.

Sipas TikTok-ut, pritet të ndërmerren veprime të menjëhershme kundër “lypjes shfrytëzuese”. Dhe se kjo lloj përmbajtje nuk lejohej në platformë dhe se komisioni nga dhuratat digjitale ishte dukshëm më pak se 70 për qind.

Përdoruesit e TikTok-ut u përballën në fillim të këtij viti me një shumësi daljesh live të familjeve në kampet siriane, duke tërhequr mbështetje nga disa shikues dhe shqetësime rreth mashtrimeve nga të tjerët.

Madje “BBC” ka zbuluar se në Sirinë veri-perëndimore ky trend po lehtësohej nga të ashtuquajturit “ndërmjetës të TikTok-ut”, të cilët u siguruan familjeve telefonat dhe pajisjet e nevojshme.

Ata kanë treguar se punonin me agjencitë e lidhura me platformën në Kinë dhe Lindjen e Mesme, të cilat u kanë dhënë familjeve akses në llogaritë e TikTok-ut.

Këto agjenci janë pjesë e strategjisë globale të tij për të rekrutuar përdorues të rinj që dalin live dhe për të inkurajuar ata të kalojnë më shumë kohë në aplikacion.

Meqë algoritmi i tij sugjeron përmbajtje bazuar në origjinën gjeografike të telefonit të një përdoruesi, ndërmjetësit kanë thënë se preferojnë të përdorin kartat SIM britanike.

Dhuratat që këto familje kërkojnë janë kryesisht virtuale. Ato u kushtojnë shikuesve para reale dhe mund të tërhiqen nga aplikacioni si para.

Për pesë muaj, “BBC” ka ndjekur 30 llogari që transmetonin drejtpërdrejt nga kampet siriane për personat e zhvendosur.

Po ashtu ka ndërtuar një program kompjuterik që ka zbuluar se shikuesit shpesh dhuronin dhurata digjitale me vlerë deri në një mijë dollarë në orë për çdo llogari.

Megjithatë, familjet në kampe kanë thënë se po merrnin vetëm një pjesë të vogël të këtyre shumave.

Kështu “BBC” kreu një eksperiment se ku shkonin këto para.

Një reporter në Siri kontaktoi një nga agjencitë e lidhura me TikTok-un duke i thënë se jetonte në kampe. Ai mori një llogari dhe doli live teksa stafi i “BBC”-së në Londër dërgoi dhurata me vlerë 106 dollarë nga një llogari tjetër.

Në fund të transmetimit live, gjendja e llogarisë testuese siriane ishte 33 dollarë. TikTok-u kishte marrë 69 për qind të vlerës së dhuratave.

Një influencues në platformë, Keith Mason, ka thënë se kjo është është “e padrejtë” për familjet në Siri.

“Duhet të keni njëfarë transparence. Për mua, kjo është lakmi”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ekspertja Marwa Fatafta ka thënë se këto dalje live janë në kundërshtim me politikat e vetë TikTok-ut për të “parandaluar dëmtimin, rrezikimin ose shfrytëzimin” e të miturve në platformë.

“TikTok-u thekson qartë se përdoruesit nuk lejohen të kërkojnë në mënyrë eksplicite dhurata, kështu që kjo është një shkelje e qartë e kushteve të tyre të shërbimeve, si dhe e të drejtave të këtyre njerëzve”, ka treguar ajo.

Ajo pranon se njerëzit kanë të drejtë të ndajnë historitë e tyre në internet “për t’u përpjekur të kërkojnë mbështetje dhe simpati”, por atyre daljeve live “u mungon dinjiteti dhe janë poshtëruese”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore