Stil

Tiffany Haddish vishet nga Valdrin Sahiti – paraqitet me fustan të njëjtë si të Monika Lubonjës


Komedianja e famshme amerikane, Tiffany Haddish, ishte në mesin e yjeve pjesëmarrës në ceremoninë e 94-të të Oscars, ndërsa në ndejën që i paraprinë evenimentit prestigjioz, ajo u paraqit e veshur me një fustan elegant të krijuar nga stilisti kosovar, Valdrin Sahiti.

Madje, kësaj radhe, Sahiti, kishte vendosur që Haddish të vishte fustanin e njëjtë, me të cilin aktorja shqiptare, Monika Lubonja ishte shfaqur në një nga netët prime të spektaklit “Big Brother Albania VIP”.

Tiffany Haddish e veshur nga Valdrin Sahiti.

Gjithsesi, sikur Lubonja, ashtu edhe Haddish, dukej bukur në fustanin e zi e të gjatë deri te shputat dhe me detajin interesant prej argjendi në pjesën e dekoldesë.

Monika Lubonja e veshur nga Valdrin Sahiti.

Monika e kishte veshur këtë fustan në kuadër të festës së Vitit të Ri, kur stafi kishte befasuar banorët, duke iu sjell në shtëpi veshje të realizuara posaçërisht nga stilisti i njohur nga Kosova.

Kjo nuk shënon herën e parë që Valdrini stilon kreacione për yjet botërore – ai tashmë është i njohur si një nga stilistët e preferuar të ikonës së muzikës pop, Beyonce.

Stilisti kosovar dhe këngëtarja e famshme amerikane kishin bashkëpunuar disa herë, ndërsa kjo e fundit ka shkëlqyer në kreacionet e Sahitit.

Herën e fundit që Beyonce ishte veshur nga Sahiti, ishte hapja e festivalit të filmit në Londër në tetor të vitit 2021.

Beyonce e veshur nga Valdrin Sahiti.

Një fustan i zi i gjatë ishte përzgjedhja e divës së muzikës, e si detaj që e bënte atë edhe më elegant ishte dekolteja e veçantë tek busti.

Fustanin këngëtarja e kombinoi me taka të zeza, syze dielli të errëta dhe një çantë dore me gurë të vegjël argjendi.

Cardi B e veshur nga Valdrin Sahiti.

Pos, Beyonce, Sahiti ka krijuar fustane edhe për yjet e tjera me renome botërore përfshirë këngëtaren shqiptare me reputacion internacional, Rita Ora, rep artisten, Cardi B dhe aktoren, Bella Throne.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore