Lajme

Thyhet rrethi i Carit, “askush në elitën ruse nuk mendon se pas sulmit qëndron Ukraina”


Mungesa e provave nuk mjafton.

As kundërshtimi i disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt.

Asgjë nuk e shtyn presidentin rus Vladimir Putinin të braktisë operacionin propagandistik, i cili kërkon që qeveria e Kievit të jetë pas masakrës në Moskë.

Një ditë më parë, dy eksponentë të rëndësishëm të regjimit dolën në terren për të përforcuar qartazi mesazhin e presidentit.

Një gazetari që e pyeti nëse ISIS ose Kiev qëndronin pas sulmit të së premtes së kaluar, Sekretari rus i Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, iu përgjigj duke buzëqeshur: “Ukraina, sigurisht”.

Për të folur më pas për “shumë” gjurmë të përfshirjes së Ukrainës.

Menjëherë pas tij, Aleksandr Bortnikov, kreu i shërbimeve ruse të sigurisë (FSB) që nga viti 2008, akuzoi Kievin dhe Perëndimin se e kishin ndihmuar sulmin.

“Ne besojmë se aksioni u përgatit nga vetë ekstremistët islamikë dhe, padyshim, u lehtësua nga shërbimet sekrete perëndimore. Dhe se shërbimet sekrete ukrainase janë të përfshira drejtpërdrejt, ata kanë trajnuar nacionalistë, mercenarë dhe islamikë në Lindjen e Mesme”.

Kievi, vijoi ai, i priste sulmuesit “si heronj” përpara se ata të arrestoheshin disa kilometra larg kufirit.

E për këto arsye Bortnikov shpalli “masa hakmarrëse”.

Fjalë që shkojnë në të njëjtën linjë me liderin, Putin-in, i cili po përgatit një tjetër përshkallëzim në Ukrainë.

Por sipas burimeve të brendshme të Bloomberg, disa zyrtarë të afërt me presidentin i kanë theksuar se nuk ka prova.

Putin ishte në takimet ku u theksua mungesa e lidhjes midis sulmit dhe Kievit, por ai vazhdon të përdorë tragjedinë për të bashkuar popullsinë në luftën kundër Ukrainës.

Ndoshta edhe për të shkëputur vëmendjen nga ajo që burimet e brendshme të Kremlinit e përcaktojnë si tronditjen e dështimit të shërbimeve të sigurisë për të parandaluar sulmin.

Sipas burimeve të Bloomberg, pothuajse askush në elitën politike dhe ekonomike ruse nuk mendon se pas sulmit qëndron Ukraina.

Argumenti i Putin-it se fakti që terroristët u drejtuan në Ukrainë demonstroi përfshirjen e Kievit u mohua pa dashje nga aleati i tij Alexander Lukashenko, diktatori bjellorus, i cili zbuloi se si xhihadistët fillimisht u përpoqën të arratiseshin në Bjellorusi.

Megjithatë, Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, përpiqet të këmbëngulë se “vetë fakti që në 24 orët e para pas sulmit amerikanët filluan të bërtisnin se nuk ishte Ukraina, por ISIS, është provë inkriminuese”.

“Nuk mund ta klasifikoj ndryshe: është provë në vetvete”, shton ajo.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore