Lajme

The Telegraph: Bisedime sekrete mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për emigrantët e paligjshëm


Britanikja “The Telegraph” ka shkruar për bisedimet sekrete midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë mbi luftimin e krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm, të cilat u bënë publike pas një sulmi kibernetik nga hacker-ët iranianë, të njohur si grupimi “Homeland Justice”, ndaj sistemeve të IT të vendit.

Konkretisht, pas hackerimit të email-it të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Dokumentet e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë cilësuar si “të ndjeshme” dhe u zbuluan në kanalin e koduar Telegram.

“Ato tregojnë për negociatat konfidenciale midis Britanisë dhe Shqipërisë mbi masat për të luftuar bandat e krimit dhe imigracionin ilegal brenda dhe jashtë shtetit ballkanik”, shkruhet në artikull.

Sipas tyre, kjo do të ngrejë frikën se të dhënat e ndjeshme operacionale të qeverisë mund të aksesohen nga kriminelët.

Negociatat pasojnë një marrëveshje të nënshkruar verën e kaluar nga Priti Patel, sekretarja e atëhershme e Brendshme, për të përshpejtuar dëbimin e kriminelëve shqiptarë dhe për të rritur bashkëpunimin e sigurisë për të luftuar bandat e krimit të organizuar në të dy vendet.

Dungeness and Hastings Lifeboats carrying groups of people thought to be migrants

Një memorandum tjetër u miratua javën e kaluar nga parlamenti i Shqipërisë për të ndarë të dhënat kriminale dhe biometrike për emigrantët shqiptarë që kalojnë Kanalin ilegalisht me agjencitë e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar.

Dokumentet e brendshme u shkëmbyen në shkurt të 2022-shit midis Gledis Nano dhe Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Në një e-mail, shefi i policisë falënderon King-Smith për ndihmën e tij, duke theksuar se “në të vërtetë ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj tani dhe në të ardhmen për përpjekjet tona të përbashkëta kundër krimit të organizuar”.

Ai zbulon se Forca Kufitare propozon të vendosë oficerë në Shqipëri për të ndihmuar në planet për një zgjerim të madh të porteve në Shqipëri dhe për të këshilluar mbi masat e sigurisë që mund të merren për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe importin e kokainës në Evropë nga bandat e krimit të organizuar. .

Memorandumi, i zbuluar, tregon se roli i Forcave Kufitare do të përqendrohet në portet shqiptare të Durrësit dhe Porto Romanos për të “vlerësuar trafikun e kontejnerëve, pasagjerët, portet dhe sistemet IT të zbatimit të ligjit, dhe aftësitë aktuale operacionale që ekzistojnë brenda portit”.

Ai zbulon gjithashtu përpjekjet për të krijuar një “qasje të integruar” midis Shqipërisë dhe Malit të Zi për të luftuar kontrabandën e drogës dhe njerëzve përmes Durrësit, Porto Romanos dhe Tivarit në Mal të Zi.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka identifikuar bandat shqiptare si përgjegjëse e shumicës së tregtisë evropiane të kokainës, veçanërisht në jug të Anglisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore