Lajme

The Economist: Kurti injoroi thirrjet e diplomatëve perëndimorë, provokoi në mënyrë të parashikueshme protestat


Albin Kurti

Gazeta prestigjioze britanike, The Economist, ka kushtuar një artikull ngjarjeve përplot me tensione në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

Në artikullin të titulluar “Pse ka sërish telashe në Kosovë?”, The Economist, shkruan se vendimi i Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht të kryeministrit, Albin Kurti, i pakoordinuar paraprakisht me komunitetin ndërkombëtar, për të instaluar kryetarët e rinj në ndërtesa komunale nën shoqërimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës ka zemëruar kancelaritë më të mëdha perëndimore.

“Zgjedhjet e reja u mbajtën në Veri në prill të këtij viti, por serbët i bojkotuan ato, që do të thotë se kryetarët shqiptarë u zgjodhën nga vetëm disa qindra shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të vendit. Votimi ishte i ligjshëm, por kryetarët kanë pak legjitimitet dhe nuk do të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa bashkëpunimin e serbëve që punojnë në Komunë”, potencon artikulli i prestigjiozes britanike.

Duke komentuar kërkesën paraprake të bashkësisë ndërkombëtare që kryetarët e sapozgjedhur të punojnë nga ndërtesat alternative, The Economist shkruan se “diplomatët perëndimorë i kërkuan Kurtit që të mos e ndezë situatën. Por ai i shpërfilli ato, duke dërguar njësi speciale të policisë për të marrë kontrollin e Komunave më 26 maj, duke provokuar në mënyrë të parashikueshme protestat”.

Artikulli në fjalë gjithashtu shkruan se nga situata e krijuar në Veri të Kosovës nuk ka mundur të përfitojë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, meqë po refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së kur fjala bie për sanksionet kundrejt Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

“Partia kryesore serbe e Kosovës është një degë e Partisë së Vuçiç’it , por shumë serbë të Kosovës e kanë humbur besimin në të. Në vend të kësaj, ata e shohin veten si viktima të lojërave politike të luajtura ndërmjet liderëve serbë dhe shqiptarë të Kosovës”.

The Economist ka shkruar gjithashtu se po të mos ndërhynin trupat e KFOR-it në ndalimin e protestuesve të dhunshëm në Veri të Kosovës, situata mund të përkeqësohej.

“Nëse trupat e NATO-s do të kishin vrarë ndonjë nga serbët, situata do të kthehej shpejt nga një përleshje e keqe në një fund të Ballkanit në një incident që Rusia do të kishte shfrytëzuar, duke akuzuar paqeruajtësit për vrasjen e civilëve të paarmatosur. Dhuna në Kosovë mund të përshkallëzohet shpejt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore