Përballje

Teuta nis aventurën evropiane përballë Sheriff Tiraspol


Kampioni i Shqipërisë, Teuta, do të ballafaqohet me kampionin e Moldavisë, Sheriff Tiraspol, në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, me fillim nga ora 19:00.

Trajneri i Tutës, Edi Martini duket optimist në prag të kësaj përballjeje edhe pse pranon që skuadra moldave në letër është më favorite për të kaluar.

“Normalisht që në letër janë më mirë se ne, kanë buxhet shumë herë më të lartë se ne. Jemi në një pikë që pavarësisht se nuk jemi të favorizuar, mund të arrijmë më të mirën”, tha Martini.

“Sigurisht është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është si një sezon më parë që ishte me një takim dhe luanim në shtëpi. Sidoqoftë duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë ndeshjen e parë, të arrijmë rezultat dhe të shohim pastaj ndeshjen e kthimit”, shtoi trajneri i Teutës.

Sfidën mes Teutës dhe Sheriff Tiraspol, pritet ta ndjekin një numër i limituar i tifozëve, pasi që 30 për qind e stadiumit të durrësit do të jetë në dispozicion.

Derisa, ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 13 korrik në Moldavi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore