Euro 2020

Tetë të fortit e Evropës


Kampionati Evropian “Euro 2020” është futur në një prej fazave më interesante, pasi janë luajtur të gjitha ndeshjet e 1/8-ave dhe janë përcaktuar skuadrat çerekfinaliste.

Përveç spektaklit që dhuroi ky Euro, as befasitë nuk munguan, duke u eliminuar disa prej pretendetëve kryesorë për të triumfuar.

Kështu kampioni aktual i botës, Franca, e cila ishte një ndër pretendentët kryesorë për të shkuar në finalen e 11 korrikut, u eliminua në fazën e 1/8-ve nga Zvicra, pas ekzekutimit të penalltive.

Gjithashtu edhe kampioni aktual i Evropës, Portugalia, u eliminua në këtë fazë, mirëpo për dallim nga Franca, portugezët nuk ishin aq befasi, pasi përballë kishin një gjigant siç është Belgjika, të cilët fituan me rezultat minimal 1:0.

Super befasi, ishte edhe eliminimi i Holandës, të cilët u mposhtën nga Republika Çeke me rezultat 2:0.

Edhe Gjermania, e cila ishte një prej pretendetëve kryesorë për të triumfuar, i dhanë fund aventurës në “Euro 2020”, pasi u mposhtën nga Anglia e etur për suksese.

Çerekfinalet e “Euro 2020” do të zhvillohen më 2 dhe 3 korrik.

Ndeshja më interesante e kësaj faze pritet të jetë ajo mes Belgjikës dhe Italisë, me dy skuadrat që do të përballen të premten në stadiumin “Allianz Arena” në Munich, derisa në të njëjtën ditë, do të luhet edhe çerekfinalja tjetër mes Spanjës dhe Zvicrës në “Gazprom Arena” të Shën Petërsburgut.

Sa i përket duelit Belgjikë-Itali, këto dy kombëtare për herë të fundit janë përballur në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të vitit 2016, në të cilën triumfoi Italia me rezultat 0:2.

Belgjika në këtë përballje ndoshta duhet të llogarisë pa shërbimet e dy prej lojtarëve më kryesor të tyre, Kevin De Bruyne e Eden Hazard, të cilët pësuan lëndime në ndeshjen ndaj Portugalisë dhe paraqitja e tyre në çerekfinale është diskutbile.

Në sfidën tjetër të kësaj dite, mes Spanjës dhe Zvicrës, mungesë e madhe për zvicranët do të jetë kapiteni Granit Xhaka, i cili nuk do të paraqitet për shkak të kartonëve të verdhë.

Kampiteni i Zvicrës, Xhaka, ishte një ndër futbollistët kryesorë të Zvicrës, në ndeshjet e kaluara në “Euro 2020”.

Kujtojmë që fituesit e këtyre dy çifteve, do të takohen mes vete në fazën e gjysmëfinales.

Më datën 3 korrik do të zhvillohen edhe dy çerekfinalet e tjera, ku Çekia do të përballet me Danimarkën në “Olympic Stadium” në Baku, si dhe Anglia me Ukrainën në stadiumin “Olimpico” të Romës.

Anglia, pasi eliminoi një rival të përjetshëm si Gjermaninë, tani do të ketë përballë Ukrainën e Andriy Shevchenko-s.

Mund të konsiderohet një short pak sa më i lehtë në letër për anglezët, që të arrijnë në finalen e 11 korrikut, e cila do të zhvillohet në shtëpinë e tyre në “Wembley”.

Në rast se eliminojnë Ukrainën, atëherë anglezët në gjysmëfinale do të përballen me fituesin e duelit Çeki – Danimarkë.

Kujtojmë që gjysmëfinalet dhe finalja e madhe do të zhvillohen në stadiumin “Wembley” në Londër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore