Lajme

Terminatori, supertanku rus i pandalshëm


Në zonën Popasna të Ukrainës Lindore, rusët po e rrisin presionin e tyre duke dërguar njësitë më agresive.

Raportimet nxjerrin në pah praninë e sulmuesve, komandove që veprojnë nën mbulesën e artilerisë, bastisjet e shpeshta gjatë natës.

Bashkë me të dërguarit janë edhe mjetet e luftës.

Madje, Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur që atje të dërgohen Terminatorët, një lloj tanku i pranishëm veç në disa ekzemplarë.

Është një tank i blinduar, i pajisur me një top të dyfishtë, i aftë për të gjuajtur më shumë se dhjetë fishekë 30 milimetërsh në sekondë, një mitraloz dhe një sistem raketahedhës. Nga versioni varet edhe se sa anëtarë mban ekuipazhi, zakonisht nga tre deri në pesë.

Sakaq, armët mund të ngarkohen me predha të shumta dhe gjuajtësi mund të gjuajë fishekë nga njëra tytë, pastaj të kalojë në gjuajtjen e predhave shpërthyese nga arma tjetër, ose t’i qëllojë të dyja njëherësh.

Nga vetë emri nënkuptohet që ky tank siguron një vëllim intensiv zjarri.

Dhe vendimi për ta përdorur është për shkak të dy aspekteve.

Fillimisht, është nevoja për të pasur më shumë burime në luftën kundër këmbësorisë ukrainase, veçanërisht ekipeve antitank, të cilat janë treguar mjaft efektive.

Pastaj vjen aspekti i dytë, vetë Moska, që i teston mjetet më të fundit të industrisë së saj të luftës dhe i shfaq ato.

Duket se supertanku është rezultat i përpjekjes së Rusisë për të zhvilluar automjete të dizajnuara për të luftuar në hapësira të ngushta urbane. Kjo nevojë është bërë urgjente pas luftës së parë çeçene, në të cilën një numër masiv i automjeteve të blinduara ruse u rrafshuan nga luftëtarët çeçenë.

Mendohet se Terminatorët e Rusisë synojnë të luftojnë në mjedise urbane së bashku me tanket, duke zëvendësuar nevojën për këmbësorinë mbështetëse.

Është e paqartë nëse ekuipazhet e tyre janë të mbyllura brenda armaturës së rëndë, pasi nuk do të ishin në gjendje të përputheshin me situatën e trupave në terren.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore