Shqipëria

Tërmetet në Mesdheun Lindor s’po ndalen


Janari është dominuar nga tërmetet e shpeshta. Sidomos në Mesdheun Lindor.

Lëkundjet e këtyre goditjeve të natyrës janë ndjerë edhe në Shqipëri, si pasojë e afërsisë me shtetit fqinj, Greqinë.

Tërmetet e atjeshme kanë qenë thuajse të njëpasnjëshme.

Madje, laboratori sizmologjik i Universitetit të Athinës ka regjistruar 100 tërmete në vetëm dy ditët e fundit në Greqi.

Mes tyre, ai i 9 janarit, u ndje në një masë të konsiderueshme edhe në vendin tonë për shkak të magnitudës. Sepse përpos afërsisë, shkalla e këtyre tërmeteve ka qenë relativisht e lartë.

Ky erdhi përmes lëkundjeve të forta në Tiranë, pasi goditi pjesën veriore të qytetit Follorinë të Greqisë, me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter.

Epiqendra e tij ka qenë afro 119 kilometra nga qyteti i Elbasanit, ndërsa thellësia e shkundjes sizmike ka filluar në 10 kilometra.

Nuk kaloi shumë kohë pas të parës shkundje dhe sërish u ndjenë dy pasuese.

Në të njëjtën vendndodhje, në një distancë kohore prej tre minutash, një sizmë e magnitudës 3.8 Rihter dhe një tjetër 4.8, goditën prapë.

Sakaq, mediave kryesore greke iu desh të raportonin edhe disa paslëkundje, ndër të cilat më e forta prej 4.8 e shkallës Rihter.

Në zonën e Devollit, si zonë kufitare, tërmeti la dëme.

Ndër to, gjashtë raportime për dëmtime banesash, dy në Bilisht, dy në fshatin Mançurisht dhe dy në fshatin Shuec.

Paçka se banesat raportohen të kenë qenë të vjetra dhe të amortizuara.

Vazhda e goditjeve ka vijuar edhe ditën tjetër të 10 janarit, por me magnitudë më të ulët.

Më e prekura ka qenë sërish Follorina, e cila ka ndjerë më shumë këto tërmete që kanë arritur deri në 3.5 ballë.

Mirëpo, 11 janari ka risjellë lëkundjet e forta.

Kësaj here ka qenë Qiproja që është goditur nga një tërmet i fuqishëm i shkallës 6.6 Rihter.

Ky i fundit është ndjerë në Turqi, Greqi, madje deri në Izrael.

Ai tronditi gjithë vendin ishullor, ku lëkundjet më të forta u regjistruan në Limassol, pjesën jugore të Qipros dhe në kryeqytetin Nikosia.

Ndërkohë, pasditja e ka rikthyer Follorinën te lëkundjet e forta më magnitudë 4.2 ballë.

Dhe se i radhës ka qenë qyteti i Korçës që i ka ndjerë më së shumti ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore