Lajme

Deklarata e Kearns – Teodosije ia shpreh “shqetësimin e thellë” ambasadorit britanik: Përkeqësoi sigurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë


Nicholas Abbott dhe Peshkopi Teodosije

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka takuar të mërkurën peshkopin Teodosije të Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit, me të cilin ka diskutuar për “alarmin” e deputetes britanike, Alicia Kearns, në lidhje me kontrabandimin e armëve nga Serbia dhe ruajtjen e tyre në kishat ortodokse serbe në Kosovë.

Teodosije, sipas njoftimit të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë, ia ka përcjellur ambasadorit “shqetësimin e thellë” në lidhje me pretendimet e deputetes britanike, ndërsa ka theksuar se deklarata e saj, ka përkeqësuar ndjeshëm sigurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ka minuar procesin e dialogut.

“Peshkopi theksoi se ky pretendim – i cili në radhë të parë është hedhur poshtë nga KFOR-i – ka përkeqësuar ndjeshëm sigurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe mund të pengojë seriozisht procesin e de-përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe procesin e dialogut”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ndërkaq, ambasadori Abbott ka shprehur shqetësimet e tij për ngjarjet aktuale në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, rolin e rëndësishëm të kishës në përmirësimin e marrëdhënieve ndër-etnike dhe nevojën urgjente për de-përshkallëzimin e situatës atje.

Shefja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka ngritur alarmin se po kontrabantohen armë nga Serbia dhe po ruhen në kishat ortodokse serbe, ndërsa transporti bëhet nëpërmjet autoambulancave në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Qeveria e Britanisë së Madhe dhe ushtarët e sapokthyer nga shërbimi në KFOR janë të vetëdijshëm se ka armatim që kontrabandohet me ambulanca nga kufiri prej Serbisë, në kishat ortodokse. Kur trupat tanë janë në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje dhe t’i kapin, leja zgjatet shumë”, ka thënë ajo.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka njoftuar të mërkurën se nuk kanë asnjë dëshmi për pretendimet e ngritura nga deputetja britanike, ndërsa ka shtuar se hetimet për një çështje të tillë janë nën përgjegjësinë e strukturave të sigurisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore