Shëndet

Të rinjtë rezultojnë më pak të lumtur se gjeneratat e mëparshme


Të rinjtë po bëhen më pak të lumtur se gjeneratat e vjetra pasi vuajnë “ekuivalentin e një krize të moshës së mesme”.

Kështu ka zbuluar hulumtimi global teksa mjeku kryesor ka paralajmëruar se “të rinjtë me të vërtetë po luftojnë”.

Vivek Murthy ka thënë se lejimi i fëmijëve të përdorin mediat sociale është njësoj si t’u jepen atyre ilaçe që nuk janë provuar të jenë të sigurta.

Sipas tij, dështimi i qeverive për të rregulluar më mirë mediat sociale në vitet e fundit është “një çmenduri”.

Sakaq, të dhënat e reja kanë nxjerrë në pah se të rinjtë në të gjithë Amerikën e Veriut tani janë më pak të lumtur se më të moshuarit, me të njëjtin ndryshim “historik” që pritet të pasojë në Evropën Perëndimore.

Rënia e mirëqenies në mesin e moshave nën 30 vjeç e ka nxjerrë SHBA-në nga lista e top 20 vendeve më të lumtura, zbuloi Raporti Botëror i Lumturisë 2024.

Pas 12 vitesh në të cilat njerëzit e moshës 15 deri në 24 u matën si më të lumtur se gjeneratat e vjetra në SHBA, tendenca duket se është kthyer në vitin 2017.

Po ashtu hendeku është ngushtuar në Evropën Perëndimore dhe mendohet se i njëjti ndryshim mund të ndodhë në vitin e ardhshëm.

Murthy i ka përshkruar gjetjet e raportit si një “flamur të kuq që të rinjtë me të vërtetë po luftojnë në SHBA dhe tani gjithnjë e më shumë në mbarë botën”.

Ai ende po pret të shohë të dhëna që vërtetonin se platformat e mediave sociale ishin të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët.

Gjithashtu ai ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar për të përmirësuar lidhjet sociale në jetën reale për të rinjtë.

Raporti Botëror i Lumturisë, një barometër vjetor i mirëqenies në 140 kombe i koordinuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies së Universitetit të Oksfordit, Gallup dhe Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm të OKB-së, ka shfaqur “rënie shqetësuese veçanërisht në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore”, sipas Jan-Emmanuel De Neve, drejtor i Qendrës Kërkimore të Mirëqenies dhe redaktor i studimit.

“Të mendosh se në disa pjesë të botës fëmijët tashmë po përjetojnë ekuivalentin e një krize të moshës së mesme, kërkon veprim të menjëhershëm të politikave”, ka thënë ai.

Rënia e rezultateve të mirëqenies për Amerikën e Veriut “bie ndesh me një nocion të mirë-krijuar…që fëmijët fillojnë më të lumtur para se të rrëshqasin poshtë kurbës U drejt një krize në mes të jetës përpara se të zgjedhë mirëqenia përsëri”, sipas De Neve.

Sakaq, britanikët nën 30 vjeç u renditën në vendin e 32-të në renditje, pas vendeve si Moldavia, Kosova dhe madje edhe El Salvadori, i cili ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë.

Kurse britanikët mbi të 60-at hynë në top 20-shen e gjeneratave të vjetra më të lumtura në botë.

Në fillim të këtij muaji, shumica e adoleshentëve britanikë u thanë anketuesve se presin që jeta e tyre të jetë më e keqe se gjenerata e mëparshme.

SHBA ranë tetë vende në renditjen e përgjithshme të lumturisë në vendin e 23-të, por kur u pyetën vetëm moshat nën 30 vjeç, kombi më i pasur në botë u rendit i 62-ti – pas Guatemalës, Arabisë Saudite dhe Bullgarisë.

Nëse llogariteshin vetëm pikëpamjet e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart, SHBA ishte vendi i 10-të më i lumtur.

Raporti nuk zbulon shkaqet e ndryshimeve, por ato vijnë mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e rritjes së përdorimit të mediave sociale, pabarazitë e të ardhurave, krizën e strehimit dhe frikën për luftën dhe ndryshimet klimatike në lumturinë e fëmijëve dhe të rinjve.

Murthy ka dalluar se adoleshentët amerikanë po shpenzonin mesatarisht rreth pesë orë në ditë në mediat sociale dhe një e treta qëndronin zgjuar deri në mesnatë gjatë netëve të javës në pajisjet e tyre.

Ndaj dhe ai ka drejtuar thirrje për një legjislacion për të reduktuar dëmet ndaj të rinjve nga mediat sociale.

Raporti ndërkohë gjurmon mirëqenien subjektive duke përdorur vlerësimet e të anketuarve për jetën e tyre dhe emocionet e tyre pozitive dhe negative.

Edhe një herë Finlanda, Danimarka dhe Islanda ishin tre vendet më të lumtura.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore