Kosova

“Të punojmë bashkë për progres e prosperitet”, Hamza viziton BIK-un për Kurban Bajram


Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza, ka uruar gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Hamza ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ka bërë thirrje për më tepër harmoni, paqe e solidaritet.

“Shfrytëzoj rastin t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës të besimit islam për festën e Kurban Bajramit. T’ju uroj shëndet, begati e gjitha të mirat në familjet e tyre. Është festë që simbolizon solidaritetin, sakrificën”, tha Hamza para gazetarëve.

“Gjithmonë këto festa uroj të ketë gëzime, begati  e harmoni. Gjithë të punojnë bashkë për progres dhe prosperitet”, shtoi Hamza.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Bashkësinë Islame në Kosovë.

“Ta gëzojmë këtë festë. T’i gjendemi njëri-tjetrit. Të jetojmë me porosinë e kësaj feste – që është sakrifica”, potencoi kreu i AAK-së.

Ndërkaq përmes një statusi në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se “kjo festë ashtu siç simbolizon sakrificën për paqe e lumturinë e njerëzve ndaj njëri-tjetrit, ashtu le ta forcojë e fisnikërojë ndjenjën e solidaritetit për t’u bërë më të mirë”.

“Në festa sikurse kjo e sotmja ne përpiqemi të forcojmë më shumë dashurinë dhe sakrificën tonë ndaj Krijuesit – prandaj mirësia e mbarësia le të bëhen pjesë e përditshmërisë tonë; për vendin, për shoqërinë dhe për njëri-tjetrin”, ka shkruar Abdixhiku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore