Lajme

Të premten Kuvendi mban seancë, diskutohet për Ligjin e pagave


Adnan Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, pas mbledhjes së kryesisë në konferencë për media ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen tri seanca.

Sipas Rrustemit, në këto tri seanca do të diskutohet për çështje të cilat konsideron si mjaft të rëndësishme, njëra ndër to do të jetë edhe Ligji i Pagave.

“Gjatë kësaj jave do të kemi tri seanca, të enjten do të kemi seancë të jashtëzakonshme për vendimin për masat emergjente për energji pastaj do të kemi ne po të njëjtën ditë vazhdimin nga pikat e papërfunduara dhe të premten seancë plenare”.

“Në seancën e së premtes do të kemi dy çështje shumë të rëndësishme e para është themelimi i Komisionit për Vettingut, dhe pika tjetër është projektligji i pagave për zyrtarët publik”.

I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes mes dy palëve, ai ka apeluar që të kenë qëndrim të përbashkët në këtë drejtim.

“E kemi thënë në vazhdimësi kur bëhet fjalë për dialogun politik me Serbinë në aspektin politik të Kosovës duhet të kemi qëndrim të përbashkët si shtet i Kosovës, si republikë dhe këtu as nuk ka ndonjë dilemë”.

Edhe Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është deklaruar pas takimit të kryesisë, ku ligjin për paga e ka konsideruar si tejet të rëndësishëm.

Besnik Tahiri.

Pritshmëritë e Tahirit, janë që të sqarohen disa nga çështjet që prekin Ligjin e Pagave.

“Në mbledhjen e kryesisë e diskutuam një seancë e cila do të jetë më shumë pika, më shumë çështja, seanca është caktuar për të premtën për AKK, kjo është njëra nga seancën me shumë rëndësi. Për shkak se në këtë seancë do të diskutohet për ligjin i pagave i cili fatkeqësisht e ka emrin ligji i pagave, por nuk dihet sa është rroga e një zyrtari publik”.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës kishte miratuar projektligjin për pagat në sektorin publik.

Projektligjin për pagat e ka prezantuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para ministrave, i cili ka bërë të ditur se ky projektligj është duke u krijuar për herë të parë në Kosovë.

“Ky projektligj po krijohet për herë të parë në Republikën e Kosovës, sistemin e unifikuar të pagave ky sistem ka në thelb drejtësinë rregullimin e pagës për të gjithë të punësuarit që paguhen nga shteti”.

Me miratimin e këtij projektligji, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen sikur para vendimit të vitit 2017 të marrë nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Kurti në mbledhjen e 109-të të Qeverisë.

Do të thotë në këtë draftligj të publikuar është vetëm sektori i drejtësisë i vetmi që preket me ulje të pagës.

Por, sipas kryeministrit, do të ketë dallim të madhe nga pagat që janë aktualisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore