Lajme

“Të pavaksinuarit me COVID-19 në gjendje më të rëndë”


Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrirë 78 pacientë me Coronavirus.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

“45 pacientë me nga dy doza Pfizer, pesë pacientë me nga tre doza Pfizer, një pacientë me një dozë Pfizer, dy pacientë me nga dy doza AstraZeneca, një pacient me një dozë Johnson&Johnson”, tha Vishaj për AP.

Vishaj i pyetur për personat e pavaksinuar të cilët janë me COVID-19 tha se, “gjendja e tyre është shumë më e rëndë”.

Ndërkaq për ata që janë të vaksinuar me dy dozat e vaksinës Pfizer ai deklaroi se, “janë në gjendje të mirë shëndetësore”.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se 157 pacientë të konfirmuar me COVID-19 dhe katër pacientë të shëruar janë të shtrirë për trajtim mjekësor.

Me oksigjeno-terapi janë 108 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë të shtrirë 3 pacientë.

Më 27 janar, në Kosovë kanë humbur jetën shtatë persona nga COVID-19 ndërsa janë regjistruar tre mijë e 917 raste të reja.

Rastet e reja kanë dalur pas testimit të 15 mijë e 268 mostrave.

Nga kjo shifër i bie se mbi 25 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Ndërsa është bërë e ditur se janë shëruar edhe 617 pacientë.

Në Kosovë, aktualisht janë 28 mijë e 751 raste aktive me COVID-19.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht me dy doza të vaksinës janë 803 mijë e 638 persona.

Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër COVID-19.

Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore