Lajme

Të paktën 24 persona të vdekur si pasojë e përmbytjeve në Uganda


Të paktën 24 persona kanë vdekur dhe më shumë se 5 mijë e 600 njerëz janë zhvendosur nga përmbytjet në lindje të Uganda-s.

Dy lumenj dolën nga shtrati pas reshjeve të mëdha të shiut që përfshiu qytetin e Mbale gjatë fundjavës, duke zhytur shtëpi, dyqane dhe rrugë dhe duke shkulur tubacionet e ujit. Rreth 400 mijë njerëz kanë mbetur pa ujë të pastër dhe më shumë se 2 mijë hektarë të mbjella janë shkatërruar.

Përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga reshjet, me një numër zonash ende të paarritshme.

“Situata është shumë serioze”, tha Edward Simiyu, nga Mercy Corps Uganda.

“Duhen shumë ekipe mjekësore në terren. Trupat e pajetë po nxirren dhe gjithnjë e më shumë njerëz po lëndohen”.

Tre qendra shëndetësore në Mbale u dëmtuan dhe shumë njerëzve u është dashur të udhëtojnë deri në 100 kilometër për të gjetur spitalin më të afërt.

Qeveria ka vendosur furnizime emergjente dhe po punon me agjencitë e ndihmës humanitare për të siguruar strehimore të përkohshme.

“Shumë prej tyre kanë humbur gjithçka dhe nuk kanë pasur asgjë për të ngrënë gjatë ditëve të fundit. Ka fëmijë të vegjël që nuk kanë ndërrim rrobash dhe shumë familje janë ende në kërkim të të dashurve të tyre”, tha Joseph Ssenkumba, nga Shoqata e Profesionistëve të Ambulancës Uganda.

Simiyu tha se përmbytjet ishin të paprecedentë.

“Ne besojmë se kjo po nxitet nga ndryshimet klimatike sepse kemi pasur shira të dendur më parë, por jo në këtë shkallë”.

Qindra njerëz kanë humbur jetën apo mjetet e jetesës nga përmbytjet në zonën kodrinore të Mbale gjatë pesë viteve të fundit. Ndikimi i ngjarjeve ekstreme të motit është përkeqësuar nga pastrimi i tokës për ferma dhe shtëpi.

Autoriteti Kombëtar Meteorologjik i Uganda-s ka parashikuar më shumë shi në lindje të Uganda-s gjatë muajit të ardhshëm. Autoritetet kanë këshilluar njerëzit që të evakuojnë zonën e Mbale dhe kanë punuar për të zhvendosur ata nga zonat përreth malit Elgon. Vetëm rreth 2 mijë e 500 njerëz nga një objektiv prej 100 mijë janë zhvendosur deri më tani.

Shefi i komunikimeve në zyrën e kryeministrit, Julius Mucunguzi, tha se, “zgjidhja afatgjatë është mbrojtja e mjedisit, qëndrimi larg ligatinave, brigjeve të lumenjve dhe shmangia e shkatërrimit të shtigjeve të lumenjve. Ndryshimi i klimës është i dukshëm”.

Rreth 300 km në veri të Mbale, rajoni i Karamoja-s ka përjetuar thatësirë ​​të madhe gjatë muajve të fundit.

Një raport i Bankës Botërore parashikon se të paktën 86 milionë afrikanë do të migrojnë brenda vendeve të tyre deri në vitin 2050 si rezultat i ndryshimeve klimatike.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore