Lajme

Të mërkurën fillon mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Erden Atiqit


Erden Atiq

Nga e mërkura, në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve të kësaj komune për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.

Kjo vjen pasi që këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për mbledhjen e nënshkrimeve nga grupi nismëtar për shkarkimin e kryetarit Atiq.

Nënshkrimet e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut do të mblidhen në sallën e sporteve të këtij qyteti.

“Në emër të grupit iniciativ për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, po i njoftoj qytetarët se më në fund i kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nesër do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, ka thënë për median serbe me seli në Veri “Kossev”, Sanja Lazereviç Krtiniç, një nga anëtarët e grupit iniciues.

Ajo ka konfirmuar se nënshkrimet do të mblidhen në sallën e sportit duke filluar nga ora 09:00.

Lazereviç Krtiniç ka ftuar të gjithë qytetarët që të vijnë dhe të mbështesin nismën për zëvendësimin e kryetarit aktual.

“Ai nuk ka legjitimitet të udhëheqë komunën tonë dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka sjellë cilësi kundër interesave të popullit tonë dhe të gjithë qytetarëve të këtij qyteti”, ka pretenduar ajo.

Ndryshe, këshilltarët në kuvendin e Komunës së Mitrovicës Veriore të hënën kanë miratuar kërkesën e grupit iniciativ për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq, konkretisht për mbledhjen e nënshkrimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore