Lajme

Të gjeturat e Auditorit në MAPL diskutohen në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike


Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë ditës së martë ka shqyrtuar Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2020.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka bërë prezantimin e të gjeturave për këtë ministri.

Sipas tij, janë gjithsejtë katër të gjetura kryesore nga auditori.

“Raporti ka paraqitur disa të gjetura. Një nga problematikat që në vazhdimësi paraqitet ka të bëjë me kontrollet e brendshme, përkundër që ka përmirësime vazhdon të mbetet problematike kontrollet e brendshme mund të ndodhin edhe në rastet kur pozitat e rëndësishme brenda institucionit janë të lira dhe nuk plotësohen për periudha të gjata. Komunikimi jo i mirë ndër institucional”, ka thënë Rrahmani.

“Është e rëndësishme që të ngritët niveli i përgjegjësisë mbi shpenzimet e parasë publike. Llogaridhënia duhet të jetë pjesë e pandashme e punës”, ka thënë ai.

Sipas Rrahmanit, viti 2020 mbetet me performancën më të dobët.

“Viti 2020 krahasuar me vitin 2019 është me një performancë më të dobët në aspektin e shpenzimeve buxhetore. Në raport nuk është e paraqitur si e gjetur pagesa e punëtorëve të cilët deri tani nuk kanë vijuar punën por janë paguar sidomos punëtorët në veri. Kjo ministri ka pasur numër të konsiderueshëm të atyre punëtorëve”.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, gjatë mbledhjes së komisionit ka thënë se pasqyrat e auditorit paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë.

“Në raport janë evidentuar katër të gjetura ku një rekomandim tani është forcuar”, ka thënë Krasniqi.

Po ashtu, ai ka mohuar akuzat e deputetit të VV-së, Eman Rrahmanit.

“Ndërsa për personat që duhet të punojnë e nuk punojnë nuk ka asnjë zyrtarë në këtë ministri, të gjithë janë sistemuar në komunën e veriut”, ka thënë Krasniqi.

Kryetarja për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bjarami, ka thënë se çështja është pak më e komplikuar.

“Raste të tilla ka pasur edhe në Qeverinë Kurti I, raste të tilla ka edhe sot. Të cilët kemi sot dhe kësaj dite persona të cilët janë në listën e pagave”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë se institucionet Kosovës “janë marrëveshjet e Brukselit të cilët i obligojnë institucionet e Kosovës për integrimin e personave nga komunitete”.

Kurse deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, i është kundërpërgjigjur Bajramit duke i thënë se “nuk të obligon asnjë marrëveshje ndërkombëtare të paguash dikë që nuk shkon në punë. Jo duke qëndruar në shtëpi e duke punuar në strukturat paralele me marrë paga nga institucionet e Kosovës”.

Ndryshe, marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar nga ish-krye negociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, kishte obliguar Republikën e Kosovës t’i sistemonte nëpër ministri, të ashtuquajturit “Rojet e Urave”, si pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zhbërjen e këtyre strukturave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore