Shqipëria

Të dënuar për të qenë aleatë, si qëndron raporti moral mes Metës e Berishës?


Prej kohësh shkëndijat e aleancës mes të dyve ishin rikthyer, por tashmë, në një akt formal të firmosjes së një marrëveshjeje, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë nisur aksionin e unifikuar opozitar, me qëllim të vetëm të pretenduar, rrëzimin e Edi Ramës nga karrigia kryeministrore.

Kjo marrëveshje, është një deja vu e dekonstruktuar e asaj të vitit 2009, por vjen e ristrukturuar në një format para-zgjedhor, pa testim të fuqisë elektorale dhe në një semantikë të re politike shqiptare, në të cilën dinamikat kanë ndryshuar shumë gjatë rrjedhës së dekadës së fundit, por emrat pjesëmarrës, jo!

Mbi këtë çështje, Albanian Post ka pyetur gazetarët dhe analistët e njohur të politikës, Mentor Kikia dhe Enton Abilekaj, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre mbi raportin e dy politikanëve të profilit të lartë në vend.

Sipas Abilekajt, dy marrëveshjet ndryshojnë moralisht njëra prej tjetrës, në një distancë kohore 13-vjeçare.

Fillimisht, për faktin se sot, Meta nuk ka numra karrigesh parlamentare, për t’i ofruar Berishës, si asokohe, kur e mbajti në pushtet për katër vjet me katër mandatet që Lëvizja Socialiste për Integrim zotëronte.

Por, mbi të gjitha, për faktin se sot kjo aleancë, po bëhet për largimin e Ramës, përmes një platforme të realizueshme, e cila synon thjesht një qeverisje më demokratike dhe më të kontrolluar.

“Ky nuk është ndryshimi i vetëm. Meta ua ka hequr edhe të vetëve lugën nga brezi dhe nuk po turret drejt ekzekutivit lokal ku janë lejet e ndertimit dhe tenderat. PL-ja po kërkon institucionet e kontrollit të pushtetit lokal dhe një test elektoral për 2025”, shpjegon më tej analisti.

Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj

Ai shton se këto janë disa ndryshime pozitive, që dy politikanët po sjellin.

Mirëpo, ka edhe një aspekt negativ dhe ky, është fakti se firmëtarët e marrëveshjes, janë dy politikanët më të vjetër të tranzicionit, të konsumuar në qeverisjet – kryesisht të dështuara – të vendit, përgjegjës për situatën e sotme, që nuk ndërtojnë dot një shpresë për ndryshimin, por një ide për rikthimin në një qeverisje tipike të tranzicionit, megjithëse më pak të korruptuar dhe pak më liberale se kjo e Ramës.

Nga ana tjetër, gazetari Kikia e ka të qartë ndryshimin e dy periudhave kohore, pasi dikur, Meta e Berisha bashkëpunuan në kuadër të “akrobacive që LSI-ja kryente për të qëndruar në pushtet”.

Teksa sot, të dy janë të dënuar për të qenë aleatë me njëri-tjetrin.

Kjo, për shkak se acarimi i raporteve me Ramën është i tillë, sa duket e pamundur edhe teorikisht të ketë bashkëpunim me të.

Ndaj, për të matur forcat në zgjedhjet vendore, Meta dhe Berisha formuan atë që njihet tashmë si fronti i opozitës së re.

Megjithatë, objektivi i kësaj dysheje për analistin Kikia, tingëllon disi paradoksal, ose më saktë, si një objektiv luftarak, ku pavarësisht se politika e lejon një terminologji të tillë, ajo në fund të ditës është një mënyrë se si njerëzit në sistemin demokratik zgjedhin ata, të cilët do t’i qeverisin.

Kjo, i mungon alencës Meta-Berisha, e cila si platformë, ka rrëzimin e Ramës.

Pyetja është, siç e parashtron Kikia: A është ky interesi i vërtetë i shqiptarëve?

“A është interes i shqiptarëve të rrëzojnë një qeveri të korruptuar (po e pranojmë afrofe se është). Rrëzimi i Ramës është pa dyshim objektiv politik, por nuk mendoj se ky është interesi i shqiptarëve. Qytetarët nuk duan thjesht ta rrëzojnë Ramën, por duan një Qeveri më të mirë dhe shqiptarëve kjo po u mungon, një alternativë më e mirë”, shpjegon ai.

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia

Më tej, gazetari e përforcon mendimin, duke thënë se argumenti i një qeverie të korruptuar, nuk është i mjaftueshëm që opozita të vijë afrofe në pushtet.

“Për këtë arsye them se nuk është rrëzimi i qeverisë së korruptuar dëshira e shqiptarëve, por ardhja e një qeverie më të mirë dhe kjo vjen me platforma më të qarta, që nuk i kemi parë nga Berisha e Meta”, shpjegon gazetari.

Për Abilekajn ndërkohë, ujdia mes të dyve, ka edhe për synim të korrin fitore në sa më shumë bashki, për t’u përgatitur më pas për betejën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, ku do të provojnë të fitojnë përballë Ramës.

Ai nuk mendon se materializimi i marrëveshjes mes të dyve vjen si nevojë e Berishës dhe Metës për t’i dhënë imunitet njëri-tjetrit përballë sulmeve nga Rama apo SHBA-të.

Kjo, sepse asnjë nga të dy, nuk ka imuniteti të mjaftueshëm për të transferuar. Ndaj, një rezultat i mirë në zgjedhje, mund të shërbejë edhe për këtë.

Teksa, përfituese mbi bazën e akordit, i sheh të dyja palët, të cilat fitojnë ringjallje të forcave, nëse do të kenë rezultat të mirë në 14 maj.

Të dyja përfitojnë edhe sipas Kikisë, për shkak se ato ende ndodhn në pozicione të paqarta dhe të pakonsoliduara.

Nga njëra anë, PD-ja vijon të jetë e përçarë në disa drejtime dhe ende nuk ka një vendim gjykate, se ku vula e partisë do të mbesë. Për këtë arsyeja, koalicionin e ka të nevojshme.

Në rastin e PL-së, angazhimi i Metës në krye të shtetit si President i Republikës, bëri që ata të humbisnin shumë terren dhe të bënin regres. Kështu, edhe Meta kërkon të shohë se ku forca e partisë së tij të riemërtuar shkon.

“Meta nuk e di se deri ku shkon forca e partisë së tij. Berisha nuk di se deri ku është dobësuar partia. Ndaj të dy palët, duan të mbështeten tek njëra tjetra, për të kuptuar ku janë me elektoratin. Më pas, për të ndarë një marrëveshje edhe më të qartë e të detajuar, për vitin 2025”, e përmbyll ai mendimin.

Me një protestë kombëtare të thirrur më 12 nëntor dhe me primaret e Berishës në ndërtim e sipër, sytë  luftës opozitare, janë të kthyer për nga motorët e fushatës, që do të kulmojë me zgjedhjet e 14 majit.

Ndërsa, rrëzimi i kërkuar i Ramës, duhet ende të presë – në rrugë demokratike – të paktën deri në vitin 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore