Lajme

Taravari: Nëse zgjidhem president do t’i propozojë kuvendit daljen e Maqedonisë së Veriut nga Ballkani i Hapur


Arben Taravari

Arben Taravari, kandidat për president të Maqedonisë së Veriut nga radhët e opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”, ka thënë se në rast të zgjedhjes së tij në krye të shtetit maqedonas, do t’i propozojë kuvendit daljen nga nisma rajonale “Ballkani i Hapur”.

Këto komente, Taravari i ka bërë të mërkurën gjatë prezantimit të katër (4), shtyllave kryesore të platformës së tij si kandidat për president.

“Bazuar në nenin 121 të Kushtetutës, do t’i propozojë Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur”, ka deklaruar Taravari.

Ai ka theksuar se do të angazhohet për harmonizim të plotë të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”.

Ndryshe, Taravari, aktualisht kryetar i Gostivarit – komunë e banuar me shumicë shqiptare – në zgjedhjet presidenciale (raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj së bashku me ato parlamentare), është mandatuar nga opozita shqiptare dhe me mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti, për president të Maqedonisë së Veriut.

Në taborin shqiptar, Taravari do të ketë kundërkandidat Bujar Osmanin, nga koalicioni “Fronti Evropian”.

Për shkak se shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, dhe duke qenë se votimi është i drejtpërdrejtë nga qytetarët, gjasat që të fitojë një kandidat shqiptar janë tejet minimale.

Ndërsa, iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie. Iniciativën e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore