Lajme

Tamponët dhe pecetat higjenike falas për gratë në Skoci


Në Skoci, tamponët dhe pecetat higjenike do të jenë në dispozicion pa pagesë në objektet publike.

E hëna e 15 gushtit, atje, u bë data kur hyri në fuqi ligji i parë i këtij lloji në botë.

Projektligji i Produkteve të Periodave u miratua njëzëri nga ligjvënësit skocezë në nëntor 2020, duke përfaqësuar një fitore historike për lëvizjen globale kundër mungesës së produkteve të periodave.

Me ligjin e ri në fuqi nënkuptohet se këto produkte do të jenë të disponueshme për t’u aksesuar në ndërtesat publike, duke përfshirë shkollat dhe universitetet në të gjithë Skocinë.

Sakaq, do të jetë përgjegjësi e autoriteteve lokale dhe ofruesve të arsimit që të sigurojnë që produktet të jenë në dispozicion pa pagesë.

Ideja fillestare ishe e ligjvënëses skoceze Monica Lennon, e cila prezantoi projektligjin në prill 2019.

“Krenarë për atë që kemi arritur në Skoci. Ne jemi të parët, por nuk do të jemi të fundit”, ka thënë ajo.

Lennon ka thënë se ishte e arsyeshme të pritej që 20 për qind e popullsisë të përdorte programin, duke pasur parasysh se statistikat zyrtare të pabarazisë tregojnë se gati 20 për qind e grave në Skoci jetojnë në varfëri relative.

Ligji vjen në një varg programesh të krijuara për të trajtuar mungesën e produkteve të periodave në Skoci, e cila ka disa kompetenca të transferuara nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria skoceze, në vitin 2018, ka njoftuar se studentet në shkolla, kolegje dhe universitete në të gjithë vendin do të jenë në gjendje të aksesojnë produkte sanitare falas.

Kjo përmes një investimi prej 6.3 milion dollarë.

Në vitin 2019, qeveria ndau 4.85 milionë dollarë të tjera për të vënë në dispozicion produktet e periodave pa pagesë në biblioteka dhe qendra rekreative.

Në Mbretërinë e Bashkuar në tërësi, një në dhjetë vajza të moshës 14-21 vjeç kanë treguar se nuk ishin në gjendje të përballonin produktet e periodave.

Ky sondazh i vitit 2017 nga Plan International UK ka zbuluar gjithashtu se gati gjysma ishin në siklet nga periodat e tyre dhe rreth gjysma kishin humbur një ditë të tërë të shkollës për shkak të tyre.

Kryebashkiaku londinez Sadiq Khan e ka vlerësuar ligjin dhe ka bërë thirrje për më shumë veprime nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

“Një ditë e madhe për #PeriodDignity. Merita për shumë aktivistë, sindikalistë dhe Monica Lennon që e bënë këtë realitet”, ka thënë ai.

“Tani është koha që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të ndjekë shembullin dhe t’i japë fund kësaj varfërie të produkteve të periodave”, ka shtuar Khan.

Në nivel global, vetëm një pjesë e vogël e vendeve kanë zero taksa të shtuara për produktet sanitare, duke përfshirë Kanadanë, Indinë, Australinë, Kenian dhe disa shtete të SHBA.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore